Rusia ka filluar kundërpërgjigjen si pasojë e depërtimit të ushtrisë së Ukrainës në territorin shtetëror rus. Me urdhër të shefit të Kremlinit, Vladimir Putin, Rusia ka zhvendosur tanke shtesë, artileri dhe sisteme raketash në rajonin e saj jugor të Kurskut, ndërsa lufton për të katërtën ditë radhazi për t’i dhënë fund inkursionit tronditës nga forcat ukrainase.
Ministria ruse e mbrojtjes ka publikuar disa video në të cilën duken tanket ukrainase të cilët goditen nga bombarduesit rus në rajonin e Kurskut. Pamjet tregojnë përdorimin e bombarduesve SU-34, e cila transporton bombën e frikshme FAB-3000 dhe që godet objektivat e shënjestruara.
Ndërkohë, Vladimir Putin ka mbledhur në një takim urgjent, Këshillin e Sigurisë së Rusisë. Rusia shpalli situatën e emergjencës në një nivel federal, në rajonin e Kurskut.
Ushtruesi i detyrës së guvernatorit të Kurskut, Alexei Smirnov, publikoi një sërë alarmesh sigurie për banorët, duke u kërkuar atyre që të strehohen nga sulmet e mundshme me raketa. Rubla ruse ra me 2.5% kundrejt dollarit dhe tregtarët thanë se sulmi ukrainas në rajonin e Kurskut ishte një nga faktorët prapa dobësisë së monedhës ruse. Pak informacione të besueshme në lidhje me operacionin e papritur ukrainas janë shfaqur dhe synimet e tij strategjike janë të paqarta. Zyrtarët ukrainas kanë refuzuar të komentojnë në mënyrë specifike rreth inkursionit, i cili po zhvillohet rreth 500 kilometra) në jugperëndim të Moskës.
Sakaq, një raketë e lëshuar nga aeroplani rus u përplas në një qendër tregtare në Ukrainë në mes të ditës, duke vrarë të paktën 11 persona dhe duke plagosur 35 të tjerë, thanë autoritetet. Më herët, Zelensky tha se “tani për tani, dihet për katër njerëz të vrarë… së paku 24 njerëz të plagosur. Rusia do të mbahet përgjegjëse për këtë terror dhe ne do të bëjmë gjithçka për t’u siguruar që bota të vazhdojë ta mbështetë Ukrainën për t’u mbrojtur dhe për t’i shpëtuar njerëzit tanë”.