Sirenat e luftës janë dëgjuar në të gjithë Ukrainën. Rusia ka sulmuar me raketa balistike dhe raketa lundrimi pjesën më të madhe të territorit ukrainas duke sjellë si pasojë një ndërprerje të energjisë elektrike në gjashtë rajonet. Për autoritetet e Ukrainës ky ishte një sulm masiv raketor.
Forcat ajrore të Kievit kishin paralajmëruar për grupe të shumta raketash të lëshuara nga Rusia në mes të një alarmi mbarëkombëtar për sulm ajror, por nuk kishte raporte të menjëhershme për dëme.
Në një deklaratë, autoritetet e Kievit thanë se ndërprerjet e energjisë kishin ndodhur në rajonet Kharkiv, Sumy, Poltava, Zaporizhzhia, Dnipropetrovsk dhe Kirovohrad. Ministri ukrainas i energjisë, German Galushchenko tha në mediat sociale se “masat parandaluese” që përfshijnë sistemin e shpërndarjes ishin gjithashtu në fuqi. Rusia ka kryer sulme të rregullta ajrore në rrjetin energjetik të Ukrainës, ndërsa forcat e saj tokësore po ecin përpara në fushën e betejës në pushtimin tre-vjeçar të Kremlinit.
Aleatët perëndimore të Kievit shprehen të shqetësuar se lodhja nga lufta po përhapet dhe numri i dezertorëve ukrainas po rritet me shpejtësi. Sipas statistikave të Prokurorisë së Përgjithshme të Ukrainës, në vitin 2024 janë regjistruar mbi 22,000 raste të dezertimit. Përveç kësaj, ka më shumë se 62,000 raste të mungesës së paautorizuar të forcave ushtarake. Krahasuar me një vit më parë, kjo paraqet një rritje gati trefish të numrit të dezertorëve dhe një rritje pothuajse katërfish të numrit të mungesave të paautorizuara. Vëzhguesit supozojnë se numri i rasteve të pa raportuara është i lartë.