Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Mbrojtjes në Ukrainë ndaloi përdorimin e aplikacionit të mesazheve Telegram në pajisjet zyrtare të personelit qeveritar ushtarak dhe zyrtarët e mbrojtjes, por pa përfshirë telefonat personalë.
Sipas tij vendimi u mor për të minimizuar kërcënimet nga Rusia, ndërsa sqaroi se Inteligjenca ukrainase paraqiti prova të besueshme se shërbimet speciale ruse kanë aftësi të qasen te përdoruesit e Telegramit edhe kur mesazhet fshihen.
Kjo platformë përdoret gjerësisht nga qeveria dhe ushtria në Ukrainë dhe në Rusi. Ndërkohë forcat e Moskës vijojnë sulmet në të gjithë territorin e Ukrainës. Gjatë natës tre civilë u vranë në Ukrainën qendrore, thanë autoritetet në Kiev, ndërsa sulmet me dron ukrainas detyruan Rusinë të evakuojë banorët e një fshati kufitar.
“Një djalë 12-vjeçar dhe dy gra të moshuara u vranë në qytetin Krivi Rih në një sulm të tmerrshëm kur qyteti ishte në gjumë” – bëri me dije guvernatori rajonal. Ai tha se tre persona të tjerë u plagosën në atë sulm, që gjithashtu shkatërroi dy ndërtesa dhe dëmtoi pjesërisht 20 të tjera.
Më herët, autoritetet ukrainase raportuan se dy persona u vranë dhe 15 të tjerë, përfshirë fëmijë, u plagosën nga sulmet ruse në rajonin e Harkivit. Mbrojtja ajrore ukrainase tha se rrëzoi 5 raketa ruse dhe 11 dronë gjatë natës , ndërsa Rusia nga e saj pretendon se 101 dronë ukrainas u kapën gjatë natës mbi rajone të ndryshme ruse.