Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në Moskë, duke shkaktuar vdekjen e gjeneralit të lartë rus Igor Kirillov dhe ndihmësit të tij.
Kirillov, i cili drejtonte forcat e mbrojtjes bërthamore, biologjike dhe kimike të Rusisë, u vra në juglindje të Moskës, rreth katër milje larg Kremlinit.
Shërbimi Sekret i Ukrainës (SBU) ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Sipas mediave ndërkombëtare, pajisja shpërthyese ishte fshehur në një skuter, i cili ishte parkuar afër hyrjes së pallatit nga ku dilte Kirillov.
Dyshohet se sasia e lëndës shpërthyese të përdorur ishte rreth 300 gramë eksploziv. Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa ka shkaktuar dëme edhe në disa automjete të parkuara aty pranë.
Ky sulm vjen pas një hetimi të hapur nga Ukraina ndaj Kirillovit për përdorimin e armëve kimike gjatë luftës në Ukrainë. Gjenerali ishte gjithashtu sanksionuar nga Britania e Madhe për përfshirjen e tij në përdorimin e armëve kimike.
Analistët paralajmërojnë se ky sulm mund të rrisë tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës. Autoritetet ruse kanë kërkuar hakmarrje dhe ndëshkim për ata që janë përgjegjës për këtë atentat.