U zhduk në mënyrë misterioze në vitin 1992, Rita identifikohet 30 vjet më vonë falë tatuazhit të veçantë

Ajo la shtëpinë e saj në Cardiff, Britani e Madhe, për të shkuar në Antwerp, Belgjikë, në shkurt 1992. Këtu Rita Roberts u shpërngul dhe jetoi deri në maj të atij viti, kur ajo humbi çdo gjurmë. Tridhjetë vjet pas asaj zhdukjeje misterioze, familja e 31-vjeçares britanike tashmë ka marrë lajmin e tmerrshëm: Rita u vra dhe trupi i saj u gjet disa ditë pas kontaktit të fundit me të afërmit e saj, në qershor të vitit 1992, por ajo ishte e paidentifikueshme.

Trupi i saj u gjet i mbërthyer në një grilë në një lumë në Antwerp, ku me siguri u hodh pasi u vra. Kontakti i fundit që 31-vjeçarja ka pasur me familjen e saj ka ndodhur me një kartolinë të dërguar në maj të vitit 1992. Pak ditë më vonë ka ndodhur vrasja, por askush deri më tani nuk dinte asgjë për të. Në fakt, më 3 qershor të të njëjtit vit, policia belge gjeti trupin e një gruaje që nuk kishte dokumente dhe kështu çështja e saj ishte një nga misteret e shumta të pazbardhura.

Ai trup mbeti pa emër për tridhjetë vjet, derisa këtë vit filloi një fushatë masive ndërkombëtare për të identifikuar një sërë trupash të gjetur në vende të ndryshme evropiane. Në fakt, Rita Roberts ishte një nga 22 gratë e vrara që policia evropiane, përmes Interpolit, vendosi të identifikojë përmes një fushate të nisur në fillim të këtij viti, të quajtur Operacioni Identify Me.

Këto janë gra me karakteristika të veçanta që mund të identifikohen nga të afërmit dhe miqtë. Kështu ndodhi për 31-vjeçaren e identifikuar nga familja e saj falë një tatuazhi në formë luleje në krahun e saj. Sipas Interpolit, familja e Rita Roberts vuri re tatuazhin e saj të veçantë, të përbërë nga një lule e zezë me gjethe jeshile, në një raport të BBC-së për iniciativën dhe kontaktoi policinë për të hetuar.

“Lajmi ishte tronditës dhe zemërthyes për ne. Rita jonë e pasionuar, një grua e dashur, me shpirt të lirë është vrarë mizorisht”, tha familja e saj në një deklaratë të shpërndarë nga Interpol. “Megjithëse lajmi ka qenë i vështirë për t’u përpunuar, ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës që kemi zbuluar se çfarë i ndodhi Ritës”. “Ka një kontradiktë të tmerrshme: ne jemi krenarë që kemi mundur të punojmë me vendet anëtare, jemi krenarë që kemi mundur të identifikojmë këtë grua të varfër, Ritën, por jemi të dëshpëruar edhe për familjen sepse ajo humbi një të dashur në rrethana brutale”, tha shefi i Shërbimit Policor të Interpolit, Stephen Kavanagh.

Fushata është e para e këtij lloji pasi paralajmërime të tilla zakonisht lëshohen vetëm brenda rrjetit të forcave policore të Interpolit në mbarë botën. Lista e plotë e viktimave të paidentifikuara, të moshës 15 deri në 30 vjeç dhe të gjetura në Holandë, Belgjikë dhe Gjermani, është publikuar në faqen e internetit të Interpolit dhe përfshin detaje të grave, fotografi të identifikuesve të mundshëm dhe, në disa raste, rindërtime të reja të fytyrës. dhe informacionin e rastit./Liberale.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com