U vranë 15 vite më parë nga Dritan Dajti, përkujtohen katër efektivët e Policisës

Në kuadër të “Vitit Mbarëkombëtar të 80-vjetorit të Çlirimit” dhe në 15-vjetorin e rënies në krye të detyrës të punonjësve të Policisë së Shtetit, të shpallur “Dëshmorë të Atdheut”, Altin Dizdari, Fatos Xhani, Kastriot Feska dhe Saimir Duçkollari, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në qytetin e Durrësit.

Në ceremoni morën pjesë zv. ministri i Brendshëm, Andi Mahila, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, drejtues të pushtetit vendor, familjarë të Dëshmorëve të Atdheut, si dhe kolegë të të rënëve dhe punonjës të Policisë së Shtetit.

Në nderim të 4 të rënëve u përurua Memoriali, vepër e skulptorit Ardian Pepa, realizuar nën kujdesin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Po ashtu, me propozim të Bashkisë së Durrësit, Këshilli Bashkiak ka vendosur emërtimin e kësaj rruge “Dëshmorët e Policisë”.

Ky akt përbën një kujtesë ndër breza për mundin, përkushtimin dhe sakrificën e çdo punonjësi policie, që ka shërbyer dhe shërben në çdo skaj të vendit për të mbrojtur jetën, pronën dhe sigurinë e qytetarëve.

Ceremonia e sotme nderoi kujtimin e të rënëve, por njëherazi ishte edhe vlerësim ndaj të gjithë atyre punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët ndër vite dhanë jetën në përmbushje të misionit dhe detyrës në luftë kundër krimit.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com