Qyteti i Ternit në Itali është mbuluar nga dhimbja teksa i jepet lamtumira e fundit 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula, e cila u vra në mënyrë makabre nga ish-i dashuri i saj, Mark Anthony Samson. Trupi i saj, i gjetur brenda një valixheje në fund të një gremine pranë Romës, u dërgua në banesën e familjes në Viale dello Stadio, ku që në mëngjes u mblodhën qindra qytetarë për të nderuar kujtimin e saj.
Me dhjetëra kurora me lule, mesazhe prekëse dhe pankarta janë vendosur përpara pallatit ku jetonte Ilaria. Mesazhet kërkojnë drejtësi dhe i bëjnë thirrje shoqërisë të ndalë dhunën ndaj grave: “Nuk duam të humbasim një motër tjetër”, “Nëse nesër më ndodh mua, shkatërro gjithçka. Dua të jem e fundit”.
Në orën 14:00 nisi kortezhi mortor drejt varrezave të qytetit, ku trupi i saj u përcoll për në banesën e fundit. E ëma, pësoi një gjendje të fikëti në momentin që arriti arkivoli i bardhë i vajzës së saj, i mbuluar me trëndafila të bardhë e të kuq.
Në shenjë zie, flamujt në ndërtesat komunale janë ulur në gjysmështizë me urdhër të kryebashkiakut të Ternit, ndërsa në Universitetin La Sapienza në Romë, ku Ilaria studionte shkenca statistikore, mësimi u pezullua në nderim të saj. Babai i Ilaries ka falënderuar qytetin, institucionet dhe të gjithë ata që kanë treguar solidaritet me familjen në këtë tragjedi.