U vetëdorëzuan pak më parë, Policia e Shkodrës: Sakica dhe Troshani në kërkim për një sherr, jo për atentatin në Dobraç

Policia e Shkodrës ka reaguar lidhur me dorëzimin në polici të Izmir Sakicës dhe Samuel Troshanit. Dy të rinjtë të cilët dyshohet se janë pjesë e grupit Bajri në Shkodër, u dorëzuan në polici paraditen e sotme. Ata u shoqëruan pranë autoriteteve në prani të avokatit mbrojtës, Sokol Tahiraj.

Emrat e tyre janë përfolur si të përfshirë në disa ngjarje kriminale, mes të cilës edhe atentatit në Dobraç ku mbetën të vdekur Hamza Lici, Arlind Bushati dhe 2 qytetarë të pafajshëm.

Edhe pse u tha se dorëzimi i tyre ka lidhje me atentatin në Dobraç të Shkodrës, sipas njoftimit zyrtar të policisë, dy të rinjtë janë arrestuar pasi akuzohen për veprat penale: plagosje me dashje, kërcënim dhe mbajtje e armëve dhe municioneve pa leje.

Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur më 3 qershor të vitit 2024, gjatë një konflikti për vendparkimin e automjeteve, në rrugën “Pogej”, ku dy të rinjtë plagosën me sende të forta një person.

Për 24-vjeçarin Izmir Sakica dhe 25-vjeçarin Samuel Troshani u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit S. T., 25 vjeç dhe I. S., 24 vjeç, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë përfshirë në konfliktin e ndodhur për vendparkimin e automjeteve, më datë 03.06.2024, në rrugën “Pogej”, gjatë të cilit u godit fizikisht dhe me sende të forta, shtetasi V. B.

Shtetasit S. T. dhe I. S. janë vetëdorëzuar mesditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com