Klaudio Myrtaj, 34-vjeçari shqiptar humbi jetën disa ditë më parë në Itali, pasi u qëllua me armë zjarri në kokë nga persona ende të paidentifikuar.
Nga autopsia u zbulua se 34-vjeçari nga Vlora i cili punonte në një punishte zdrukthuarie në Vernante të Italisë, është qëlluar me një armë të tipit kalibri i vogël.
Motra e tij, Desara Myrtaj, është telefonuar nga media italiane “La Stampa”, ku ka folur për ngjarjen e rëndë.
“Jam e shokuar, nuk e kuptoj. Klaudio ka qenë gjithmonë vëllai më i mirë në botë, gjithmonë pranë meje. Një djalë i artë, ai ndoqi universitetin dhe masterin në marrëdhëniet me publikun. Ai punonte në një call center në Tiranë, por gjashtë vite më parë babai ynë ndërroi jetë, kështu që u kthye në Vlorë për të qenë pranë nënës. Por na duheshin para. Ai ra në kontakt me kushërinjtë e tij në Caraglio, me të cilët jemi shumë të afërt. Fillimisht shkoi në Spanjë për pushime, më pas iu bashkua atyre në Itali.
E prisnim për natën e ndërrimit të viteve. Më thirrën kushërinjtë e mi. Unë vërtet nuk di çfarë të them. Flisnim çdo ditë me Klaudion, ai nuk tha kurrë ndonjë gjë të çuditshme, madje as kushërinjve të tij. Ai ishte njeriu më i sjellshëm dhe më korrekt në botë, ai nuk mund të lëndonte askënd”,-ka thënë motra e tij.
Në lidhje me partneren e tij dhe lajmet “krim pasioni”, Desara u shpreh: Kam folur me të një ose dy herë. Kam lexuar për krimin e pasionit, por nuk gjej asnjë logjikë në të. Ne kemi besim te drejtësia italiane, le të sqarohet. Nëna është e shkatërruar. Për të, më e rëndësishmja tani është të kthejë Klaudion në Shqipëri sa më shpejt të jetë e mundur, për t’i dhënë lamtumirën e tij.
Ndërkohë e dashura e Klaudios, një 40 vjeçare që punon në një klub në Limone dhe nuk është nën hetim, përjashton në mënyrë “kategorike” krimin e pasionit”.
“Ne ishim bashkë që nga marsi, e donim njëri-tjetrin, disa debate si në çdo çift. Një burrë fantastik, por shumë xheloz. Ai kishte debatuar dhe goditur me grusht dy persona më herët, por ata nuk ishin ish të dashurit e mi apo njerëzit që i njihja. Askush nuk do ta kishte vrarë për mua. Unë kam pasur eksperiencat e mia, por atë që ai më dha nuk e kam ndjerë kurrë me askënd. Unë isha mbretëresha e tij”, thotë partnerja e Klaudios.