Policia ka zbardhur detaje sa i përket atentatit të dështuar ndaj Altin Halilit në Berat të regjistruar më 26 gusht.
Policia ka arritur të arrestojë Iliaz Toskën, i cili sipas hetimeve ka rezultuar se ka ndihmuar autorët.
Në një komunikatë për shtyp nga Policia bëhet me dije se Iliaz Toska largoi autorët me makinë nga fshati Kozare, ku u gjet i djegur mjeti i tyre.
Njoftimi i plotë:
Berat/Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në datën 26.08.2024, në rrugën e fshatit Dushnik, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me qëllim vrasjen e drejtuesit të automjetit.
Identifikohet, kapet dhe ndalohet, shtetasi që largoi nga vendi i ngjarjes ku dogjën autmomjetin, autorët që qëlluan me armë në drejtim të automjetit që drejtohej nga 48-vjecari A. H.
Grupi i Posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Berat i ngritur për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mbasditen e datës 26.08.2024, në rrugën e fshatit Dushnik, ka vijuar intensivisht veprimet e thelluara hetimore në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Berat.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Berat, identifikuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin I.T., 48 vjeç, banues në Divjakë.
Nga hetimet e thelluara procedurale rezultoi se 48-vjeçari ka përkrahur autorët e ngjarjes, duke i larguar ata me automjet nga fshati Kozare, ku u gjet i djegur automjeti i tyre.
Grupi i posaçëm hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.