Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona, të cilët tentuan t’i merrnin një biznesmeni një shumë të madhe parash. Në kuadër të operacionit “Repeat” u arrestuan Alban Gjoni dhe Rudor Balla, ndërsa vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tyre.
Burime zyrtare bënë me dije se janë sekuestruar 8250 euro, 25 000 lekë, 1 automjet dhe 1 aparat celular.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Repeat”, për identifikimin, kapjen dhe vënien në pranga të disa shtetasve të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin tentuar të mashtronin një shtetas, për të përfituar prej tij, një shumë të madhe parash.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve A. Gj., 19 vjeç, R. B., 25 vjeç, të dy banues në Elbasan. Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi F. L., 25 vjeç.
Këta shtetas kanë tentuar të mashtrojnë një shtetas (biznesmen), duke iu prezantuar atij si përfaqësues të një personi publik, për të përfituar shumën 50 000 euro.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 8250 euro, 25 000 lekë, 1 automjet dhe 1 aparat celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.