U ndalua në Turqi, Prokuroria dërgon dosjen në Ministrinë e Drejtësisë për ekstradimin e Ibrahim Licit

Prokuroria e Shkodrës i ka përcjellë materialet Ministrisë së Drejtësisë bashkë me kërkesën për ekstradimin e Ibrahim Licit. Ky i fundit u arrestua sipas policisë shqiptare, javën e kaluar në Turqi lidhur me vrasjen e Endri Mustafës, ndërsa familjarët pretenduan se i shumëkërkuari u vetëdorëzua.

Pas kësaj pritet që ministria e Drejtësisë t’i drejtohet shtetit turk me kërkesën zyrtare të ekstradimit.

Gjykata Shkodrës, në vitin 2021, i ka caktuar Licit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe municionit”, pasi më datë 15.05.2021, dyshohet ka vrarë me armë zjarri pistoletë, Endri Mustafën.

Lici u arrestua më 15 shkurt, pas një operacioni të përbashkët mes policisë shqiptare dhe asaj turke.

Policia turke ndoqi një person të besuar të tij që udhëtoi nga Shqipëria për ta takuar.

Ibrahim Lici, është një person i njohur për policinë. Emri i tij lidhet me ngjarje të bujshme të ndodhura në qytetin e Shkodrës.

Lici ishte në shënjestër të grupit të Bajrave për t’u ekzekutuar sipas dosjes Metamorfoza.

Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bilalajve në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bilali janë kryer një sërë vrasjesh.

Në gusht 2018 u ekzekutua me breshëri kallashnikovi Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.

Çfarë tha vëllai i Licit pas arrestimit më 15 shkurt në Turqi 

Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit deklaron nga Turqia se ky i fundit nuk është arrestuar nga policia por është vetëdorëzuar me qëllimin për të kërkuar azil në shtetin turk për shkak se nuk ndjehet i sigurtë në Shqipëri.

“Vëllai im nuk është arrestuar siç deklaroi me bujë policia e shtetit në Shqipëri por është vetëdorëzuar tek autoritetet turke me qëllim për të kërkuar azil pasi nuk ka besim tek shteti dhe qeveria shqiptare. Shteti në Shqipëri është vërtetuar se bashkëpunon me bandat kriminale ndaj Ibrahimi ka vendosur që të vetëdorëzohet në Turqi. Në Shqipëri vëllait tim i rrezikohet jeta dhe në këtë mënyrë ka vendosur që të vetëdorëzohet. Nuk është e vërtetë se është arrestuar por si gjithmonë policia kërkon që t’i bëjë të bujshme edhe pse nuk ka asgjë të vërtetë. Vëllai im është i pafajshëm pasi nuk ka kryer asnjë vrasje dhe kjo është e vërtetuar por drejtësia shqiptare nuk do që t’i marrë parasysh. Ibrahimi do të ndjekë procedurat e azilkërkuesit në Turqi dhe nuk mund të ekstradohet pasi në Shqipëri jeta e tij është në rrezik nga bashkëpunimi i shtetit me bandat kriminale”, deklaroi Hamza Lici nga Turqia.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com