Tre ditë më parë, një lajm i trishtë ka prekur komunitetin dhe miqtë e Thoma Dhimas, i cili ka ndërruar jetë pas një jete të tërë të përkushtuar në shërbim të kishës. Lajmin e dhimbshëm e bëri të ditur përmes një postimi në Instagram miku dhe kolegu i tij, Engjëll Serjani.
“Ndarja nga jeta e kolegut dhe mikut Thoma Dhima është një lajm i hidhur farmak. Ai ishte simbol i urtësisë, humanizmit, besimit dhe dashurisë. Sa herë takoheshim në Tiranë, kujtonim shokët dhe episodet e fëmijërisë në Varroshin tonë,” shkroi Serjani, duke shprehur dhimbjen e tij të thellë për këtë humbje.
Thoma Dhima, i cili gjithë jetën e tij ia kushtoi shërbimit të kishës, do të mbetet i paharruar për familjen, miqtë dhe kolegët e tij gazetarë. “Qoftë i paharruar i miri Thoma. U prehtë në Parajsë. Amin,” përfundoi postimin e tij Serjani.
Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Thoma Dhima, i cili ka shërbyer me devotshmëri për tri dekada pranë Kishës, ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Kryepeshkopit Anastas që nga vitet e para të ringritjes kanonike të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
“Me hidhërim të thellë njoftojmë për jetëndërrimin e z. Thoma Dhima. Ai shërbeu me përkushtim pranë Kishës sonë për tri dekada, si gazetar, përgjegjës i zyrës së shtypit dhe kryeredaktor i gazetës “Ngjallja”.
Ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Kryepiskopit Anastas që në vitet e para të ringritjes kanonike të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Ishte gjithashtu një bashkëshort, një prind i përkushtuar dhe një koleg me frymë bashkëpunimi. Ai do të mbahet mend si fjalëpak dhe gojëmbël, i cili rrezantonte mirësi dhe si i tillë gëzonte respektin tek të gjithë.
Familja humbi një bashkëshort dhe një prind shëmbullor, Kisha humbi një punëtor të mirë dhe Kryepiskopi Anastas një bashkëpunëtor të ngushtë. Kontributi i tij në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë do të kujtohet për shumë kohë.
Në këto momente dhimbje të familjes së tij Kryepiskopi Anastas po u qëndron pranë tyre me lutje dhe ngushëllim.
Lutemi që Perëndia ta prehë shpirtin e tij me të drejtët!
Shërbesa e Varrimit do të kryhet ditën e Diel datë 18 gusht ora 12:30 në Kishën e “Ungjillëzimit” në Tiranë dhe më pas varrimi në varrezat në “Sharrë”, Kombinat“, shkruan Kisha Orthodoske.