Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurimit arrest në burg pa afat për Enea Sulejmanin, ndërsa për 3 të tjerët është vendosur arrest në burg me afat deri në 16 maj.
Në burg me afat janë lënë Shkëlqim Ostresi, Igli Begaj dhe efektivi i operacionales Ervis Shkurta. Enea Sulejmani nuk ishte i pranishëm në seancë, pasi po merr ndihmën mjekësore, por u përfaqësuar nga avokati i tij.
Përballë gjyqtarit të çështjes Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, gjatë seancës kanë kërkuar nga gjykata që të mos marrë parasysh dëshmitë paraprake, pasi janë dhënë pa praninë e avokatit dhe nën trysni. Ata kanë theksuar se nuk kanë lidhje me kokainën që ishte në makinën e Sulejmanit.
Po të njëjtat burime bëjn֝ë me dije se polici Ervis Shkurta ka mohuar përfshirjen në ngjarje, duke pretenduar se nuk është ai poseduesi i numrit britanik që kanë pretenduar të dyshuarit e tjerë.
Po ashtu ai ka kërkuar një masë më të butë sigurie, edhe për shkak të problemeve shëndetësore që ka i biri. Mbrojta ka kërkuar masë më të butë sigurie dhe po ashtu mohon faktin që ata të kenë pasur dijeni për drogën. Burime bëjnë me dije se nga raportet e vëzhgimit nuk del që të përmendet emri i policit Shkurta.
Ndërkohë, prokuroria ka kërkuar që t’i lërë në qeli, duke argumentuar se ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar dyshimin e arsyeshëm. Gjatë hetimit dy mujor janë përdorur edhe metoda speciale të hetimit, si blerjet e stimuluara dhe përgjimet.