Vangjel Dule, kreu i PBDNJ, ishte i ftuar këtë të shtunë në emisionin “Kjo Javë” në News24, me gazetaren Nisida Tufën. Në nisje të emisionit ai foli për incidentin e ndodhur pak ditë më parë, kur ai u gjuajt me vezë nga një person, jashtë ambienteve të SPAK, incident për të cilin ai bëri përgjegjës Edi Ramën.
“Kushdo që gjendet në një situatë të tillë nuk mund të ndihet këndshëm. Ishte një situatë e paprovokuar, dhe e papritur, por dua ta lë aty ku u ndodh. Por duhet të shohim pse ndodhi dhe cilat janë motivet. Kemi të bëjmë me një individ, i konstatova pasi pashë filmimet…
Së pari, ky individ kishte provokuar, që as e kisha parë ndonjëherë, kishte shkaktuar edhe një incident me ambasadorin e Greqisë, jashtë SPAK, disa javë më parë. Së dyti, ky person shoqërohej në të dyja rastet nga një individ tjetër, që mbante herë një celular dhe një kamera, pretendonte kameramanin… por askush nuk konfirmoi median për të cilën ai ishte pranë SPAK. Së treti, ky individ me kamera shihet në foto me dëshmitarin e vetëm të Belerit. Kjo më bën të mendoj se kjo nuk ishte e paorganizuar. Këto filmime janë në të gjitha mediat.
Nuk më intereson as personi dhe as incidenti, por më shqetëson fryma, sepse u shoqëruan edhe me disa thënie që ishin kërcënime. ‘Do ta pësoni si filani’, apo ‘po vjen dhe radha juaj’. Nuk më intimidojnë këto, por as nuk mund t’i kaloj pa i diskutuar. Ajo ishte gjuhë urrejtjeje. Ia drejtova gishtin Ramës sepse është ai që e nisi këtë histori me gjuhë urrejtje, stigmatizim. Sepse kur kreu i qeverisë, kur atakon një individ është e dënueshme moralisht, politikisht por edhe ligjërisht”, u shpreh ai./m.j