Një 39-vjeçar është arrestuar si autor i dyshuar i sulmit ndaj kryeministres daneze Mette Frederiksen, mbrëmjen e djeshme në qendër të Kopenhagenit.
Ai doli sot para Gjykatës, thuhet në një deklaratë të policisë daneze.
Sulmi tronditi Frederiksen, e cila drejton Partinë Social Demokrate të Danimarkës dhe ka qenë kryeministre që nga viti 2019.
Mbrëmjen e djeshme, një burrë iu afrua dhe e goditi me grusht në sheshin Kultorver në Kopenhagen.
Frederiksen pësoi një ndrydhje të lehtë të qafës gjatë sulmit, tha sot zyra e saj.
“Kryeministrja është shëndoshë e mirë, por është e tronditur nga ngjarja”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Frederiksen është dërguar në spital për kontroll mjekësor pas incidentit.
Të gjitha detyrat zyrtare të kryeministres janë anuluar për ditën e sotme.
As policia dhe as kryeministria nuk kanë bërë asnjë njoftim për motivin e sulmuesit apo nëse ai ishte i armatosur./m.j