Sanije Tuga tregon se me nipërit, që dyshohet se kanë vrarë babanë, ka pasur raporte të afërta dhe marrëdhënie të mira.
Në një intervistë ekskluzive me gazetaren Dorjana Bezat, Sanija, e cila vetë ka vuajtur dënimin me burg për vrasjen e vjehrrës dhe plagosjen e burrit, lutet që nipërit të lirohen.
“Me fëmijët e Blerinës, kam pasur marrëdhënie shumë të mirë. Ata janë shumë të dashur, veçse nuk u del koha të vijnë, duhet të vijnë më shpejtë. Burgu është shumë i keq. Edhe për të vjetrit është shumë i keq, jo më për të rinjtë, që duan shumë punë, shumë disiplinë. Tani, nuk e di, vetëm shpresoj që ata të mos bëjnë burg. Nëse e kanë vrarë babanë, atë e di gjykata. Por kur kërkon ndihmë, edhe s’të ndihmon kush, vetëm ajo ngel (vrasja)”.
Duke folur për vrasjen e vjehrrës, gjyshes së Blerina Metës, në maj të vitit 2010, Sanija shprehet se “ia kishte bërë borxh” dhe pas ngjarjes, fëmijët e falën.
“Nuk kam kërkuar ndihmë, por ma ka bërë borxh shumë herësh. Fëmijët ma kanë falur, si jo”.
Hetimet për vrasjen e Pëllumb Metës:
Nga veprimet proceduriale të deritanishme, rezulton se vrasësi i dyshuar është Hysen Meta, djali i madh i Pëllumbit. E vetmja gjë ende e paqartë për grupin hetimor mbetet motivi kryesor i krimit. Gjithsesi dhuna në familje, qoftë dhe vetëm ajo psikologjike, e shoqëruar me episode dhune fizike të herëpashershme ndaj nënës, siç dëshmohet vetëm nga Blerina dhe vajza e saj e arrestuar, konsiderohet motiv që ka nxitur frymën e urrejtjes ndaj babait duke çuar në planifikimin e vrasjes së tij.
Pesha e përgjegjësisë nga dëshmitë dhe provat e deritanishme bie mbi Hysen Metën dhe motrën e tij Hygerta. Të dy kanë qenë të pranishëm në krim, por roli i nënës së tyre Blerina Metës, konsiderohet kyç në këtë ngjarje kriminale.
Vrasja e Pëllumb Metës ka ndodhur në datën 10 shkurt, dhe djali i madh Hyseni, pas tre ditësh ka bërë denoncimin për zhdukjen e tij. Pëllumbi u vra në një dhomë të shtëpisë, e më pas u gropos në kasollen e lopës që ndodhej ngjitur me shtëpinë.
/f.s