Puna për rindërtimin e ish-godinës së ATSH në Bulevardin “Zogu I” po vijon, pas shembjes si pasojë e dëmtimeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet dhe tha se gjatë procesit të rindërtimit godina do të ruajë disa elementë identifikues.
“Siç kthyem në identitet ‘Pallatin me Kuba’, i cili njihej si pallati i Ismail Kadaresë dhe i Dritëro Agollit, siç kthyem në identitet kinemanë në Laprakë, kështu do të kthejmë në identitet edhe këtë vepër, e cila ka edhe dy kate shtese, ku do të vendoset drejtoria jonë e Transportit. Drejtoria e Transportit ka bërë një revolucion në Tiranë”, tha Veliah.
Veliaj u ndal dhe te premtimi për të bërë falas transportin për pensionistët.
“Ne po bëjmë edhe verifikimin në kohë reale të autobusëve, edhe mënyrën se si do të bëjmë subvencionimin e abonesë për studentët dhe pensionistët. Jemi duke bashkëpunuar me Institutin e Sigurimeve Shoqërore që, për linjat urbane, nga 1 janari, të mbajmë fjalën e dhënë për të lehtësuar, përveç studentëve, edhe pensionistët”, shtoi kryebashkiaku.
Ndërkohë, po ashtu Veliaj njoftoi se shumë shpejt disa institicione financiare do të transferohen në lagjen “5 Maji”.