Është arritur të kapet në Shqipëri agjenti i trafikut të drogës, arkitekti i marrëveshjes mes grupeve kriminale të Napolit dhe Kalabrisë.
Ai është Kevin Kurti 26 vjec, i cili i shpëtoi operacionit tre javë më parë nga Karabinierët e Njësisë Hetimore të Napolit, ku 32 persona, pjesëtarë të dy organizatave kriminale të dedikuara në trafikun ndërkombëtar dhe shpërndarjen e drogës u arrestuan në një operacion të policisë së Napolit në Itali.
Dy shqiptarët e përfshirë në këtë organizatë ishin Isat Cela dhe Kevin Kurti, 26 vjeç. 26-vjeçari konsiderohet strumbullari rreth të cilit u krye marrëveshja mes Simone Bartiromo, një element drejtues i organizatës nën hetim dhe Sebastiano Romeo, “furnizues” kalabrez i kokainës me qendër në Bianco.
Hetimet nuk u ndalën kurrë dhe Karabinierët, të koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Napolit dhe me bashkëpunimin e paçmuar të SCIP (Shërbimi për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor) dhe Policisë Shqiptare, gjurmuan Kurtin në Durrës. Ai tani është i mbyllur në një burg shqiptar, në pritje të ekstradimit, shkruajnë mediat italiane.
Nga hetimet rezulton se një nga shqiptarët është përgjuar në një bisedë në qershor 2021 me një bashkatdhetar që sapo kishte zbritur në Napoli. Dy bashkëbiseduesit diskutojnë metodat e transportit të drogës dhe rreziqet ndaj të cilave ato ekspozohen, për shembull, kur droga transferohet në një qese, për shkak të qenve nuhatës të drogës. Ata pretendojnë se kontejnerët ofrojnë siguri më të madhe, por vetëm “nën ujë është 100%, por përshtatet vetëm nga Panamaja”, thonë ata.
Fraza interpretohet nga hetuesit si një demonstrim se mjetet tradicionale tani po bashkohen me një metodë transferimi përmes nëndetëses, siç u zbulua nga policia amerikane gjatë një operacioni të rëndësishëm. Nisja e nëndetëseve bëhet nga Panamaja, e cila konsiderohet si një nga kryeqytetet botërore të kokainës. Pjesë e këtij grupi rezulton edhe Bruno Carbone, italiani i arrestuar në Dubai në nëntor 2022, i kërkuar që nga 2003 dhe i konsideruar një nga trafikantët më të rëndësishëm pas Raffaele Imperiale. Organizata trafikonte kokainë, marijuanë dhe heroinë. Rrugëkalimi i drogës ka qenë dhe Holanda e Spanja./m.j