U akuzua për dhunë ndaj njerkës së tij, Apeli liron nga qelia Robert Kullën dhe e lë në arrest shtëpie

Gjykata e Apelit ka liruar nga qelia Robert Kullën. Ai u akuzua se kishte ushtruar dhunë ndaj njerkës së tij pas një konflikti për pronën. Djali i Nehat Kullës e apeloi vendimin e Shkallës së Parë e cila e vuri në masën e arrestit në burg.

Ndërsa sot, Apeli pranoi pjesërisht apelimin e Kullës duke e liruar nga burgimi dhe duke e dërguar në shtëpi me masën e arrestit shtëpiak.

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, mbi kallëzimin e shtetases me iniciale L. K, kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit me iniciale Robert Kulla, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë  ndaj bashkëshortes së babait të tij, e cila është pajisur me urdhër mbrojtje.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka zhvilluar gjykimin lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, për personin nën hetim, shtetasin me iniciale Robert Kulla, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Dhuna në familje” dhe “Vetëgjyqësia”, parashikuar nga nenet 130/a/4 dhe 277 të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 1443 Regj.Them, datë 03.06.2024, ka vendosur:

–          Vlerësimin si të paligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasit R. K.

–          Caktimin si masë së sigurimit personal ndaj personit nën hetim R. K atë të “arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr. Penale, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Dhuna në familje” dhe “Vetëgjyqësia”, parashikuar nga nenet 130/a/4 dhe 277 të Kodit Penal.

–          Urdhërohet policia gjyqësore që ta çojë menjëherë në një institur paraburgimi personin nën hetim R. K.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim me iniciale R. K, i cili kërkoi prishjen e vendimit, lirimin e menjëhershëm pasi nuk e ka kryer veprën penale. Në alternativë caktimin e një mase sigurimi më të butë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 14.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar z. Fuat Vjerdha vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 1443 Regj.Them, datë 03.06.2024 të Gjykatës të Shkallës së Parë të Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me këto ndryshime:

– Caktimin ndaj të dyshuarit R. K të masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, duke e urdhëruar të dyshuarin R. K të mos largohet nga banesa e tij…

– Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të dyshuarit R. K nga IEVP “Jordan Misja” Tiranë, nëse nuk mbahet për ndonjë shkak tjetër ligjor.

Tiranë, më 14.06.2024 – GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com