Në ditët e fundit kanë vazhduar mbledhjet e Komisionit Hetimor parlamentar për konçensionet në sektorin e shëndetësisë.
Në këto seanca kanë dëshmuar auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të cilët në vite kanë audituar Ministrinë e Shëndetësisë, FSDKSH, QSUT dhe spitale të tjerë. Një pjesë e mirë e pyetjeve dhe përgjigjeve është përqëndruar nëse është e mbështetur në ligj që shërbimet e furnizuara nga kontratat konçensionare të kontrollit mjekësor bazë dhe të furnizimit të setit të instrumentave kirurgjikalë duhet të faturohen me TVSH apo duhet të jenë furnizime të përjashtuara nga TVSH.
Këto kontrata kanë më shumë se 8 vjet që zbatohen. TVSH është një taksë që përfundon në buxhetin e shtetit. A vallë për një gjë kaq të qartë administrative duhet të kryhet një hetim parlamentar? Ky është qëllimi i hetimit parlamentar?
Në raportet përfundimtare të KLSH-së që në vitet 2016 – 2017 është rekomanduar që furnizimet e këtyre dy kontratave duhet të jenë të përjashtuara nga TVSH. Ky rekomandim është përsëritur vit pas viti. Në vitin 2019 (me raportin përfundimtar nr 361/9, datë 10.10.2019) KLSH i rekomandon Ministrisë së Shëndetësisë që t’i drejtohet për një mendim të specializuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Në zbatim të këtij rekomandimi, në datë 15 janar 2020 me Nr. Prot. 217, Minsitria e Shëndetësisë i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me “kërkesë për interpretimin në lidhje me tatueshmërinë për qëllime të TVSH-së, të shërbimeve të ofruara nga shoqëritë koncensionare 3P Life Logistic dhe SaniService”.
Në datën 2 shkurt 2020 me Nr. Prot. 1023/1, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me “Dërgohet për kompetencë kërkesë për interpretim”.
Pra, vetë Ministria e Financave dhe Ekonomisë i drejtohet DPT për interpretim të kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë. Pra rekomandimin e KLSH-së do të duhet ta interpretojë DPT.
Në datën 14 shkurt 2020 me Nr. Prot 939/1, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i kthen përgjigje kërkesës së Ministrisë së Shëndetësisë (bashkëngjitur është kopja e kësaj shkrese).
Në fund të përgjigjes është shkruar e zezë mbi të bardhë “DPT ka mbajtur qëndrim se furnizimi i shërbimit të kryer nga koncensionari është furnizimi i tatueshëm me TVSH”.
Sa më sipër dëshmon se Ministria e Shëndetësisë ka zbatuar rekomandimin e KLSH-së. Megjithatë, KLSH vazhdon të përsërisë këtë rekomandim në kontrolle të mëvonshme edhe pasi është njohur me këtë përgjigje të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Çfarë kuptimi ka që një hetim parlamentar që të merret me sjelljen e KLSH-së dhe audituesve të tij? A nuk duhet të merret me këtë papërgjegjshmëri insitucionale të KLSH, Komisioni i përhershëm parlamentar i Ekonomisë dhe Financave?
Ndërkohë duhet mbajtur në konsideratë se këto dy kontrata konçensionare janë hetuar edhe nga prokurori të Republikës së Shqipërisë në vitet 2016 dhe 2017.
- Në 19.01.2016 është regjistruar kryesisht në Prokurorinë e Tiranës nën referim të Task Force të Prokurorisë së Përgjithshme (14.12.2015) procedimi penal nr. 457 për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës” i tre kontratave konçensionare të lidhura nga Ministria e Shëndetësisë ku përfshihen edhe dy kontratat objekt hetimi i komisionit hetimor. Në 19.09.2016, prokurori Endri Bimi ka vendosur për “Pushimin e çështjes penale”. Në hetimin e tij, prokurori Bimi padyshim që është njohur edhe me tekstin e kontratave ku është përcaktuar edhe se furnizimi është me TVSH dhe ka vlerësuar edhe se nuk ka shpërdorim detyre as në këtë element të caktuar. Ky vendim i prokurorit Bimi është një fakt i njohur botërisht.
- Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, mbi bazën e dy kallëzimeve penale të kryera nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, si dhe mbi bazën e verifikimeve të kryera, ka rregjistruar proçedimin penal nr.123, viti 2017, për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuar nga nenet 248 dhe 260 të Kodit Penal. Njëri nga dy kallëzimet lidhet me kontratën koncensioanre të kontrollit bazë mjekësor.
Në 5 qershor 2017, prokurorët Arens Çela dhe Klodjan Braho kanë vendosur “Pushimin e çështjes penale nr.123, viti 2017, të rregjistruar për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 260 të Kodit Penal. Në hetimin e tyre, prokurorët Çela dhe Braho padyshim që janë njohur edhe me tekstin e kontratës ku është përcaktuar edhe se furnizimi është me TVSH. Këta dy prokurorë kane vlerësuar se nuk ka shpërdorim detyre as në këtë element të caktuar. Ky vendim i prokurorëve Çela dhe Braho është një fakt i njohur botërisht.
Nëse DPT si organ i specializuar për të interpretuar zbatimin e ligjit të TVSH-së, që në shkurt 2020 është shprehur zyrtarisht se furnizimet e shërbimeve të kontratave janë me TVSH;
dhe
nëse dy prokurori të ndryshme në 2016 e 2017, pasi kanë hetuar kontratat koncensionare, nuk kanë gjetur shpërdorim detyre as në dispozitat përkatëse të kontratave për furnizim të shërbimeve me TVSH;
Përse u dashka që një një komision hetimor parlamentar të merret me ditë të tëra me një çështje të shteruar në rrugë administrative dhe të hetuar në rrugë penale.
Apo, mos vallë, duhet të pranojmë që PD bën gjoja sikur bën opozitë të ashpër parlamentare dhe PS bën gjoja sikur tregohet tolerante ndaj kërkesave të opozitës.
Apo, mos vallë, segmente të ndryshme brenda PD-së duan të përdorim hetimet parlamentare për protagonizëm brenda forcës politike.
Apo, mos vallë më keq akoma, për të shantazhuar sipërmarrje apo sipërmarrës të caktuar.