Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj vijoi turin e mirënjohjes në 33-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, me strukturat socialiste të Petrelës, Farkës dhe Baldushkut, ku deklaroi se kryeqyteti këtë vit do të presë rreth 15 milion turistë. Ai shtoi se para disa vitesh, ky transformim që i ka ndodhur Tiranës, as mendohej se mund të arrihej.
“Nëse vazhdojnë këto ritme, deri në fund të vitit do të kemi mbi 15 milionë turistë. Ose më shumë se një milion në muaj. Pra, një dyfishim i popullsisë në Tiranë, që sjellin dyfish amortizim të rrugëve, më shumë trafik nga turistët, që do të marrin makina me qira, do të ketë nevojë për dy herë më shumë pastrim nga mbetjet që prodhohen nga restorantet, dyqanet, nga çdo pikë ku shërbehet. Por, do të ketë dy herë më shumë ngarkesë në të gjitha klubet dhe lokalet e Tiranës. Këto sot janë probleme të botës së parë, ndërkohë para 9 vitesh, kur erdhëm në bashki, u përballëm me probleme të botës së tretë. Nuk e di a e mbani mend, po në atë kohë s’kishte kapakë pusetash te Presidenca, e jo më të kishte në periferi. Për ndriçim në Baldushk, Petrelë apo Farkë as nuk diskutohej fare”, tha ai.
Veliaj komentoi protestat e dhunshme të opozitës para Bashkisë së Tiranës. “Më vjen keq për ata shokë – se unë nuk i quaj armiq ata të opozitës, jetojnë në të njëjtin qytet, çojnë fëmijët në të njëjtat shkolla, ecim në të njëjtat rrugë, shihemi në të njëjtat ambiente publike – por vërtet më vjen keq sepse jemi në vitin 2024 dhe djegin ende goma te Bashkia dhe te Parlamenti. Si në mesjetë! Përkufizimi i budallallëkut është: Të bësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër. Po bëre të njëjtën gjë, të njëjtin rezultat do kesh. Ndoshta, u duhet që, si ne, të propozojnë zgjidhje konkrete, të propozojnë një shkollë, një urë, të propozojnë një rrugë, një mënyrë se si qyteti të bëhet më i pastër, se si të shtohen aktivitetet kulturore. Unë e di se rezultati i shkollave të reja 42 me 0 është i pakthyeshëm, por ndoshta, duke qenë të mirë dhe duke folur për ide konkrete, është më mirë se sa duke djegur goma”, tha ai.
Kryebashkiaku deklaroi se ata që bërtasin për taksa, në fakt nuk i paguajnë detyrimet që kanë ndaj qytetit dhe shtetit.
“Bashkia ka vërtet taksa modeste, janë të vogla, sepse më shumë paguajnë ndërtuesit, kurse familjarëve nuk u janë ndryshuar taksat që nga koha e Lul Bashës, por ama kur shikon që njerëzit e thjeshtë në Farkë, në Baldushk, në Petrelë, e paguajnë taksën e bashkisë, aq sa është, 100 lekë, dhe shikoj ata që bërtasin, kanë 8 muaj pa paguar ujë e drita, 8 muaj pa paguar taksat, që thonë: “Poshtë bashkia, poshtë taksat!” Ose thonë: “Ku janë taksat tona?” Cilat taksa? Ata, sa më shumë bërtasin, aq më pak paguajnë dhe kontribuojnë. Është turp i madh, njerëz që thonë “jemi alternativë!” dhe s’paguajnë taksat lokale, atë 100 lekëshin. Ndaj, respekt për të gjithë qytetarët e ndershëm të Farkës, të Petrelës, të Baldushkut, që shtetit i japin atë që i takon, partive iu japin votën sipas meritës dhe sipas cilësisë së mbajtjes së premtimeve dhe punëve që bëjnë”, tha Veliaj.