Presidenca e Donald Trump pritet të ketë një test të rëndësishëm në politikën e jashtme. Ajo ka të bëjë me qasjen ndaj Rusisë. Kremlini u tregua i kujdesshëm në reagimin e tij ndaj fjalimit të fitores së Donald Trump, duke thënë se SHBA ishte ende një shtet armiqësor dhe se koha do të tregojë nëse retorika e Trump për përfundimin e luftës në Ukrainë do të përkthehet në realitet.
Shumë duan të besojnë se Trump do të jetë në gjendje të ndalojë luftën në Ukrainë për 24 orë, nëse ai zgjidhet në krye të Shtëpisë së Bardhë. Por, Kremlini mbetet skeptik. Zëdhënësi i Vladimir Putin tha në një reagim pas fitores së Trump se fundi i luftës kërkon shumë mund. Për këtë arsye, Putin është lideri i cili nuk e ka uruar akoma Donald Trump për fitoren.
“Të mos harrojmë se po flasim për një vend jomik, i cili është i përfshirë drejtpërdrejt dhe indirekt në një luftë kundër shtetit tonë në Ukrainë. Ne kemi thënë në mënyrë të përsëritur se SHBA-ja është në gjendje të ndihmojë për t’i dhënë fund konfliktit. Sigurisht, kjo nuk mund të arrihet brenda natës”, tha Dmitry Peskov, zëdhënës i Kremlinit.
Diplomatët rusë dhe amerikanë thonë se marrëdhëniet midis dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë kanë qenë më të këqija që nga koha e Luftës së Ftohtë.
Kirill Dmitriev, kreu me ndikim i fondit të pasurisë sovrane të Rusisë, i cili dikur ka pasur kontakte me Donald Trump, tha se një fitore e Trump mund të jetë një shans për të riparuar lidhjet: “Kjo hap mundësi të reja për rivendosjen e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”.
Trump, 78 vjeç, ka premtuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë nëse zgjidhet, megjithëse nuk ka shpjeguar saktësisht se si do ta bënte këtë. Putin ka thënë se është i gatshëm të flasë për një fund të mundshëm të luftës, por se fitimet dhe pretendimet territoriale të Rusisë duhet të pranohen, diçka që udhëheqja ukrainase e hodhi poshtë si një kapitullim të papranueshëm.
Forcat ruse po përparojnë me ritmin më të shpejtë në të paktën një vit në Ukrainë dhe kontrollojnë rreth një të pestën e vendit. Kjo përfshin Krimenë, të cilën Moska e aneksoi nga Ukraina në 2014, rreth 80% të Donbasit – një zonë qymyri dhe çeliku – dhe më shumë se 70% e rajoneve Zaporizhzhia dhe Kherson.