Me një lëvizje politike surprizuese, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, ka shokuar europianët, teksa ka krijuar një parti politike në Gjermani, e cila ka në thelb të programit të saj luftën kundër racizmit mysliman.
Partia e re, e cila pritet të garojë në zgjedhjet europiane të qershorit, do të quhet Aleanca Demokratike për Diversitet dhe Zgjim (DAVA) dhe është krijuar zyrtarisht më 7 janar.
Partia është një degë e partisë AKP, që drejtohet nga lideri turk dhe synon të fitojë besimin e mbi 1.5 milionë turqve me të drejtë vote në Gjermani, por edhe shtetasve të tjerë më origjinë të huaj.
Partia e re pritet të drejtohet nga Teyfik Özcan, i cili ka këmbëngulur se financat e partisë do të sigurohen të gjitha nga brenda vendit, në zbatim të plotë të ligjit elektoral, pasi në Gjermani është e paligjshme të marrësh fonde nga vendet e huaja.
Krijimi i DAVA-s ka shkaktuar reagime dhe shqetësime në Berlin. I pari që ka reaguar kundër është Cem Özdemir, ministri gjerman i Bujqësisë, i cili ka prejardhje turke.
Ai shkroi në platformën X: “Një degë e Erdoganit që kandidon në zgjedhje këtu, është gjëja e fundit që na duhet”.
Edhe nënkryetari i partisë më të madhe opozitare konservatore Kristian Demokrate (CDU), Jens Spahn, kritikoi këtë nismë të Erdogan. Ai shkroi në rrjetet sociale: “Një degëzim Erdogan-AKP në Gjermani do të ishte një tjetër parti ekstreme në vend”.
Ndërkohë, kandidatja kryesore liberale gjermane Marie-Agnes Strack-Zimmermann kur u pyet për DAVA-n tha për Die Welt: “Aktualisht po shohim partitë që shfaqen kudo dhe qëllimi dhe ushtrimi i tyre i vetëm është që përfundimisht ta copëtojnë Evropën nga brenda”./m.j