Policia e Shkodrës ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 30 mijë eurosh për këdo që ka informacion në lidhje me autorin që vendosi tritolin në banesën e gjyqtarit Tonin Stërkaj.
“Krahas veprimeve intensive të grupit hetimor, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e shtetasit që shfaqet në pamjet filmike të sekuestruara. Për çdo informacion të vlefshëm që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të rastit, DVP Shkodër vë në dispozicion shpërblimin 30 000 euro. Kushdo që ka informacion duhet ta dërgojë në numrin 069 41 05 436. Policia e Shtetit iu garanton anonimat të sigurtë. Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër siguron qytetarët se është maksimalisht e angazhuar për të garantuar rend dhe siguri publike”, njoftuan uniformat blu.
Kujtojmë në orët e para të mëngjesit të së hënës, në banesën e gjyqtarit Stërkaj u vendos një sasi lënde tritoli. Nga kamerat e sigurisë ka qenë një person që i është afruar banesës së gjyqtarit të Shkallës së Parë dhe pasi e ndez fitilin largohet me vrap. Shpërthimi ishte i fuqishëm, por fatmirësisht pati vetëm dëme materiale.
Dyshimet e para të ngjarjes lidhen me detyrën e Tonin Stërkajt, megjithatë nuk përjashtohen as pista të tjera. Pas ngjarjes, KLGJ e vendosi gjyqtarin në mbrojtjen e policisë për 6 muaj.
/a.r