Qeveria e Presidentit sirian Bashar al Assad ra të dielën (8 dhjetor) përballë një sulmi të rrufeshëm të kryengritësve që morën kontrollin e kryeqytetit sirian, Damask. Ushtria hodhi në rrugë uniformat e dorëzoi qytetin duke braktisur aeroportin.
Damasku është “tani i lirë nga Assadi”, thanë rebelët në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale. Ndërsa turmat dolën në rrugë për të kremtuar fundin e 50 viteve të sundimit të hekurt të familjes Assad.
Bashkimi Europian ka reaguar lidhur me zhvillimet në Siri.
“Fundi i diktaturës së Asadit është një zhvillim pozitiv i pritur prej kohësh. Ajo tregon gjithashtu dobësinë e mbështetësve të Asadit, Rusisë dhe Iranit. Prioriteti ynë është të garantojmë sigurinë në rajon. Do të punoj me të gjithë partnerët konstruktivë, në Siri dhe në rajon”, ka shkruar në X-së Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.