“Tre ‘dinozaurët’ e tranzicionit duan ta mbajnë Shqipërinë të mbërthyer”, Basha e ka vendosur: Në 2025 do të kandidoj në Tiranë

Lulzim Basha, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, kërkon besimin e qytetarëve për t’u shkëputur, sipas tij, nga kultura e vjetër e tranzicionit për një model të ri politik. Situatën politike në prag të zgjedhjeve parlamentare e sheh të ngarkuar, ndërsa vetë ka vendosur të kandidojë në Tiranë, duke nxjerrë në pah aleatët e tij dhe kushtin për bashkëpunim.

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë tregon ku e mori spunton përçarja e PD-së dhe çfarë mund ta bashkojë atë. Në një intervistë ekskluzive për gazeta “Panorama”, Lulzim Basha flet për ndërtimin e një rruge të re, ndërsa fton shqiptarët që të votojnë kundër Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës.

Kreu i Demokratëve Euroatlantikë shigjeton “dinozaurët” e tranzicionit dhe mbajtësit në pushtet të Edi Ramën. Kryeministrit Rama, ai i kujton se ka më shumë bashkëpunëtorë në burg se në qeveri, ndërsa për Sali Berishën dhe Ilir Metën shprehet se ka ardhur ora e llogaridhënies.

Z.Basha, politika tashmë ka hyrë në sezonin elektoral. Si e konsideroni mjedisin aktual para zgjedhjeve parlamentare dhe cila është agjenda e Demokratëve Euroatlantikë?

Në përvojën time, asnjëherë kaq pranë zgjedhjeve mjedisi politik nuk ka qenë kaq i ngarkuar. Ndërkohë që duhej që qytetarët të dëgjonin nëpër media, takime e kudo, propozimet për zgjidhjen e situatës ekonomike, se si të mbajmë dhe rikthejmë të rinj e të reja që duan ose janë larguar nga vendi; si do të krijojmë kushte për shtresën e mesme, sipërmarrësit, profesionistët dhe intelektualët të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri, si do të hapim vende pune dhe të krijojmë mundësi për mirëqenien e qytetarëve tanë, nga mëngjesi deri në darkë dëgjojmë se si hallet e tre njerëzve, Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës u janë mbivendosur halleve të rreth 3 milionë shqiptarëve. “Dinozaurët” e tranzicionit po përpiqen të mbajnë me çdo kusht status quon.

Z. Rama me më shumë bashkëpunëtorë në burg se në qeveri, sillet sikur s’ka ndodhur asgjë, sikur ai është i pastër dhe të gjithë i hanë dardhë e kumbulla pas krahëve. Por ka vetëm dy arsye në këtë realitet, ose Rama është i paaftë dhe aq budalla sa të gjithë ia punojnë pas krahëve, ose është koka që ushqen lidhjet korruptive dhe kriminale të qeverisë së tij. Në të dyja rastet ai duhet të largohet dhe të mbajë përgjegjësi për këtë situatë skandaloze ku e ka futur Shqipërinë.

Ai ka hallin e tij se qelbi i qeverisjes që i ka shpërthyer kudo, nuk pastrohet lehtë dhe ora e llogaridhënies ka ardhur edhe për të. Nga ana tjetër, z. Berisha në arrest shtëpie sillet sikur është ai që do të sjellë ndryshimin, paçka se në tri vite premtimet e foltores së tij u vërtetuan si mashtrime. Sa herë betohet “o sot, o kurrë”, i fut një pazar me Ramën, ndonjë leje ndërtimi, kullë apo marrëveshje në Parlament për të siguruar pozitën e tij dhe pushtetin Ramës. E në fund, z. Meta nga burgu që bën thirrje për protesta periodike kundër SPAK-ut, për të mbrojtur pasuritë e tij. Pikërisht për këto interesa personale të tre “dinozaurët” e tranzicionit duan të mbajnë Shqipërinë të mbërthyer në tema dhe çështje, që nuk u interesojnë qytetarëve.

Në këto rrethana, që janë sigurisht të vështira për vendin, ekzistojnë kushtet për të ndërtuar një rrugë të re, duke lënë pas të shkuarën dhe tollovinë në të cilën ndodhet një pjesë e sistemit politik për shkak të halleve të përbashkëta që kanë me drejtësinë. Këtë rrugë të re, Demokratët Euroatlantikë do ta ndërtojnë duke u kërkuar besimin qytetarëve për t’u shkëputur nga kultura e vjetër e tranzicionit dhe për të përqafuar të gjithë bashkë një model politik të ri, që fokusohet te qytetarët, i dëgjon ata, nuk i ngarkon njerëzit me telenovelën e lodhshme të politikës, por iu ofron zgjidhje për çështjet urgjente dhe serioze që kërkojnë zgjidhje.

Agjenda jonë është e përcaktuar nga forumet tona drejtuese dhe parashikon marrjen pjesë me çdo kusht në zgjedhje, përfundimin e seleksionimit të kandidaturave dhe prezantimin e programit tonë, që është i pari i prezantuar nga një forcë politike. Shqipëria i ka mundësitë, ka kapacitete njerëzore për të qenë një vend i zhvilluar, ku çdo qytetar ka mundësi të ndërtojë një jetë dinjitoze.

Cilët janë aleatët tuaj dhe kë përjashtoni nga mundësia e bashkëpunimit me ju?

Aleatët e mi janë qytetarët shqiptarë. Ata që sot duan ndryshim, të rinjtë e të rejat që duan mundësi për t’u trajnuar për të qenë të aftë për tregun e punës, për të pasur punë me paga të larta; nënat dhe baballarët që duan t’i rrisin fëmijët e tyre në vendin e tyre, fermerët që duan që djersa e tyre të kthehet në mirëqenie për familjet e veta, pensionistët që sot as ilaçet nuk blejnë dot me pensionet e tyre. Aleatët e mi janë të gjithë ata që duan që Shqipëria të ndryshojë. Por, aleatët e mi në asnjë rast nuk janë ata që janë të lidhur me krimin, që financohen nga paratë e krimit apo që kanë tradhtuar besimin e qytetarëve duke abuzuar me paratë e tyre, pra të korruptuarit.

Ky është kushti im i vetëm, për të tjerët jam i hapur pa asnjë hezitim. Prej muajsh ne kemi nisur një iniciativë të përbashkët me personalitete me zë të politikës, intelektualë dhe disa parti politike përmes Harkut Opozitar Euroatlantik, por jo vetëm për të gjetur emëruesin e përbashkët në përballje me qeverinë e Edi Ramës. Ne qëndrojmë për një mbështetje të pakushtëzuar për SPAK dhe jemi të bindur se për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë, vendit i duhet edhe një qeveri antikorrupsion. Pa një drejtësi të fortë, nuk mund të ketë sukses në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Ne kërkojmë t’u japim fund lidhjeve të politikës me krimin, prandaj nuk bashkëpunojmë me asnjë individ apo grupim që ka këto lidhje të papërshtatshme, apo vepron përmes parave të zeza të krimit. Secili formacion që e gjen veten në këto sinorë, është i mirëpritur.

Nga ana tjetër, vija jonë e kuqe është për të gjithë ata që u bënë paterica e Edi Ramës në të paktën dy raste ulëritëse, me pasoja për zhvillimet në vend, amnistimi i të korruptuarve të qeverisë dhe votimi i turpshëm për mbylljen e listave. Përmes këtyre akteve, ata janë vetidentifikuar si fraksion i PS-së, pasi pa mbështetjen e tyre, Edi Rama nuk i kishte votat për të shkatërruar në mënyrë flagrante Komisionin e Reformës Zgjedhore, si dhe për të cenuar punën e SPAK, përmes amnistimit të të korruptuarve. Këto nuk janë aksidente, por etapa të një plani që z. Rama dhe z. Berisha kanë bashkëhartuar për të arritur te qëllimi i tyre madhor, që është goditja e SPAK. Me votën për amnistimin e të korruptuarve i dhanë mesazhin se ne kemi kartonët për të zhbërë punën tuaj, ndërsa me votën për mbylljen e listave po përpiqen të mbajnë në lojë njëri-tjetrin.

Sa mundësi ka opozita që të bashkohet për zgjedhjet e 2025-s, me qëllim që Edi Ramën ta rrëzojë me votë?

Çfarë duan qytetarët sot: një koalicion moral nga i cilë do të burojë një qeverisje e mirë për ta, apo një koalicion “qelbësirash” si ai që u dha Edi Rama shqiptarëve më 2013 dhe sollën këtë situatë që është sot, ku krimi ka marrë kontrollin e qeverisjes dhe korrupsioni është i përhapur kudo? Unë mendoj se ata duan të parën. E për këtë ka mundësi dhe hapësira dhe unë jam i hapur me të vetmin kusht që e thash pak më lart, jo lidhje me krimin, jo financim i krimit, jo të korruptuar. Opozita ka shumë mundësi për t’u bashkuar, por mungon qartësisht një vullnet politik për t’u ndarë nga fati i individëve të veçantë, që për shkak të halleve të tyre personale dhe familjare me drejtësinë po veprojnë kundër interesit të opozitarëve, e natyrisht kundër interesit të shumicës së shqiptarëve që nuk e duan Edi Ramën.

Kjo mbivendosje e agjendave personale si ajo e z. Berisha mbi agjendën e opozitës, duke shkuar deri aty sa për shkak të halleve të tij të sillet si paterica e z. Rama për t’i dhënë votat në Parlament në pazare të shëmtuara, është pengesa kryesore, sepse me peshën historike dhe përgjegjësinë e madhe që ka për shkak të mbështetjes së madhe që ka marrë nga demokratët në tri dekada, jeton ende me devizën “pas meje kiameti”. Sot e gjithë agjenda, retorika dhe energjitë e një pjese të opozitës janë në funksion të përballjes së z. Berisha me drejtësinë. Retorika e tij zbardh skenarin e dakordësuar me Ramën. Ky i fundit pushtetin, Berisha si preokupim të vetëm ka monopolin e opozitës për interesa të veta, kundër interesave të shqiptarëve.

Pse kaq i vështirë bashkimi i opozitës?

Sepse një pjesë e opozitës nën Sali Berishën punon për hallin e tij dhe hallet e veta, duke shpresuar se nga ky keqpërdorim i opozitës do të mbrohet përballë drejtësisë. Ky ka qenë misioni i tij i thënë nga vetë ai që më 2021, PD nëse nuk mbron atë, nuk meriton të ekzistojë. Si mund të ketë bashkim me dike që opozitën e do për hallin e tij dhe jo për të mundur Edi Ramën dhe ofruar zgjidhje për hallet e shumta që kanë shqiptarët sot?! Si mund të ketë bashkim me ata që sot betejën e kanë për një karrige deputeti e kush do t’i zërë vendin Berishës kur ai të mos jetë më dhe jo se si të largojnë Edi Ramën?! Këto 3 vite shqiptarët kanë parë e dëgjuar mashtrime pafund. Kanë parë e dëgjuar ndryshime 180 gradë të qëndrimeve publike. Kanë parë që idhujt t’u shemben para syve nga akuzat për korrupsion. Sot para çdo shqiptari është e qartë se beteja e këtyre tri viteve ishte dhe është për hallin personal të një njeriu. Kjo po e bën të vështirë bashkimin, sepse pa moral, nuk mbahet dot i bashkuar një grupim që kërkon të sjellë ndryshimin në vend.

Kush ndikoi në përçarjen e Partisë Demokratike? Nga e mori spunton?

Vendimi i Sali Berisha për ta përdorur PD-në si kalë beteje për hallet e tij personale. Ai u shpall “non grata” për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë nga SHBA-të. Me gjithë përpjekjet e mëdha që fati i Sali Berishës të ndahej nga fati i PD-së, ai donte me çdo kusht që PD-në ta shndërronte në mburojë të halleve të tij.

Sot në listën e zezë të SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe i pandehur nga SPAK-u, besoj është e qartë për çdo demokrat e shqiptar pse po e bënte këtë dhe pse vazhdon të bëjë gjithçka, të shpenzojë miliona euro, lobime, pagesa për media, analistë, politikanë, gjyqtarë, për ta mbajtur PD-në si mburojë të halleve të tij.

Fatkeqësisht, edhe pas dorëheqjes sime më 2022, nuk pati asnjë reflektim nga z. Berisha, i cili vijoi me planin e tij për të marrë me çdo kusht PD-në, duke joshur edhe ata që e kanë të lidhur ekzistencën politike me karrigen e deputetit dhe për ta lidhur fatin e tij me atë të forcës politike, duke e përdorur si zyrë avokatie për çështjet me të cilat përballej e po përballet. Kjo ndarje u bë më e thellë me ndërhyrjen e z. Rama, i cili pa në fatin e z. Berisha diçka që do t’i ndodhte edhe atij, prandaj u investuan në ndarjen që nisi pas 9 shtatorit, me shpresën se duke penguar dialektikën e brendshme në PD, do të pengonin edhe dialektikën politike në Shqipëri, duke mbajtur në këmbë sistemin që kanë ndërtuar bashkë.

Nëse nga pamja taktike ata patën një avantazh, pra arritën përkohësisht me makinacione të përdorin hallin e Berishës për të goditur PD-në si alternativë qeverisëse, strategjikisht nuk po e pengojnë dot përballjen me të shkuarën dhe të tashmen e tyre. Jam i bindur se fituan vetëm kohë, pasi nuk do t’i shpëtojnë dot përballjes me skeletet e shumtë që kanë në dollapët e tyre.

A do të kandidoni në Tiranë, në zgjedhje përballë Edi Ramës e Sali Berishës, që sipas jush janë bashkë?

Po, do të jem kandidat në Tiranë. Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që shpresoj se do të rrezojë pazarin Rama-Berisha për mbylljen e listave dhe t’u japë mundësi shqiptarëve të votojnë dhe të zgjedhin kandidatin që duan ata. Kjo është gara e vërtetë për këdo që mendon se ka mbështetje te qytetarët dhe jo të fshihen pas listave të mbyllura dhe të kthehen në skllevër të kryetarit të radhës për një vend në listat e mbyllura.

Cilat janë synimet e partisë suaj në zgjedhjet e 2025-ës?

Të marrim besimin e shqiptarëve me një alternativë, program dhe ekip që i shërben Shqipërisë. Ne do të përdorim gjithë energjinë tonë, gjithë burimet tona njerëzore, individë që kanë qëndruar me kosto të larta, në veçanti këto tri vite, në një përballje sa të vështirë, aq edhe fisnike në mbrojtje të disa parimeve, për ne themelore, duke dëshmuar se politika nuk është privilegj, por përgjegjësi për të bërë gjënë e duhur, edhe kur ajo është e vështirë dhe ka pasoja personale.

Me këtë bindje ne do t’i kërkojmë besimin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, që mendojnë se vendi nuk po shkon në drejtimin e duhur, se jemi gati për të marrë përsipër barrën e përgjegjësisë, sepse kemi treguar se mes interesit personal dhe interesit publik, ne kemi zgjedhur interesin publik, duke luftuar për të. Kemi treguar se besimin e tyre nuk e kemi tradhtuar dhe as abuzuar me të në asnjë funksion. Përkundrazi, i kam shërbyer me përkushtim dhe me rezultate që i gëzojnë sot. Ne duam të jemi zëri i shumicës së shqiptarëve që mendojnë se Shqipëria meriton më shumë se gara e shitur në tavolinë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ky është plani i tyre për të mbajtur gjallë tranzicionin nga i cili kanë përfituar kaq shumë. Synimi ynë është të mbyllim kapitullin e tranzicionit, bashkë me protagonistët e tij, që kanë që në shekullin e kaluar që diktojnë jetën e familjeve shqiptare.

Çfarë i penalizon Demokratët Euroatlantikë për të pasur një rezultat pozitiv në garën e re elektorale?

E para, unë nuk e shoh këtë si betejë për interesin e një grupimi politik, por për interesin e shqiptarëve që duan ndryshim. Për shembull, mbyllja e listave nuk ishte penalizim për ne, por për qytetarët që deputetët nuk do t’i zgjedhin ata, por do t’ua vendosin kryetarët. Kështu është edhe beteja për zgjedhje. Duan të mbajnë këtë situatë me Ramën dhe Berishën, apo duan ndryshim? Thënë kjo, nuk mund të mos kemi shqetësim për krimin që ndërhyn në zgjedhje, apo përdorimin e pushtetit për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve. Rasti i Çyrbjes është konfirmim i gjithçkaje kam denoncuar për vite me radhë, se si krimi vendoste kandidatët dhe i fitonte zgjedhjet për Ramën. Në çdo vend të botës për këtë do kishte rënë qeveria.

Natyrisht, Edi Rama nuk ka asnjë standard europian dhe s’mund ta presësh këtë prej tij, por më e çuditshme është heshtja e z. Berisha për këtë rast. Asnjë fjalë prej tij, ndërsa rasti i Çyrbjes provon edhe njëherë se zgjedhjet e 2021-shit, përpos parregullsive të tjera, u tjetërsuan nga z. Rama me mbështetje të krimit të organizuar. Z. Berisha nuk mund të flasë për këtë se për muaj me radhë mashtroi demokratët duke më sulmuar mua dhe mbrojti Edi Ramën për manipulimin e zgjedhjeve më 2021-shin. Megjithatë, kjo dosje jo vetëm hedh në kosh mashtrimet e z. Berisha ndaj meje, por më e rëndësishmja është se provon që z. Rama bashkëpunoi dhe bashkëpunon me krimin për të penguar ndryshimin në Shqipëri.

Kjo është një dosje shumë serioze dhe inkurajoj SPAK-un t’i shkojë deri në fund, pasi ndarja e politikës nga krimi nuk mbyllet dot me Çyrbjet, por me vënien para drejtësisë të atyre që vendosin Çyrbjet në listat e partive. Dhe jo vetëm kjo, por kemi edhe dosjen e Durrësit dhe Dibrës, që e gjithë bota e dëgjoi se si krimi ndërhynte në zgjedhje dhe Edi Rama e zyrtarët e tij përdornin pushtetin për të blerë vota. Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se ka një regres në angazhimin për votimin dhe numërimin elektronik, fatkeqësisht edhe këtu ka një heqje dorë nga ata që e cilësojnë veten si opozitarë, por me këto kërkesa të pashpjegueshme, flakin në koshin e plehrave një dekadë betejë për votim dhe numërim elektronik.

Shqetësuese gjithashtu është hedhja në kosh për interesat personale të Berishës dhe një kategorie uriahipësh që e bëjnë këtë betejë vetëm për emra të sigurt në listë, të reformës zgjedhore, e cila do të adresonte shqetësimet për manipulimin e zgjedhjeve më 2021. Pavarësisht të gjithave, ne besojmë se shqiptarët e kanë në dorë me pjesëmarrjen e tyre masive në zgjedhje që të bëjnë ndryshimin.

Cilat janë pritshmëritë tuaja ndaj Gjykatës së Lartë me qëllim rimarrjen e logos dhe vulën e PD-së?

Shqipëria ka nevojë ulëritëse për drejtësi të pandikuar politikisht dhe të pavonuar nga kulisat e pushtetit, pasi drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Vendimi skandaloz i Apelit, që shkeli udhëzimet e Gjykatës së Lartë, ka prodhuar një padrejtësi skandaloze. Ne besojmë se do të ketë një vendimmarrje të drejtë, që respekton demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Përmes vendimit të Gjykatës së Lartë, shqiptarët dhe partnerët tanë ndërkombëtarë do të shohin nëse investimi në sistemin e drejtësisë mund të pengohet apo jo nga interesat klienteliste që vonuan kaq gjatë vendosjen në vend të së drejtës. Pastaj ky nuk është një vendim për një apo disa individë, por për të treguar se askush nuk mund t’i mbivendoset drejtësisë dhe ligjit për interesa të tij personale. Ky do të ishte precedent i rrezikshëm për të ardhmen dhe çdo parti politike në këtë vend. Çfarë do ta pengonte ndryshe nëse një grup kriminal, që me anë të presionit dhe parave, të merrte nën kontroll një parti politike që qeveris vendin?!

Si e shikoni izolimin e drejtuesve të opozitës në prag të zgjedhjeve? Çfarë fshihet pas…?

Drejtësia nuk vepron në bazë të funksionit, por në bazë të veprave penale që kryen. Dhe beteja kjo duhet të jetë, je i fajshëm apo i pafajshëm, jo çfarë posti ke. Fshehja pas funksionit është pikërisht ajo që i intereson Sali Berishës e të tjerëve për të mos u përballur në publik me akuzat ndaj tyre, për t’u mbrojtur dhe viktimizuar.

Ligji duhet të jetë i barabartë për këdo, nga kryeministri e deri të zyrtari apo ish-zyrtari më i thjeshtë. Pandëshkueshmërisë duhet t’i vijë fundi në këtë vend. Meta akuzonte Ramën për burgosjen e liderit të opozitës, Berishën, ndërkohë që në kohën e Metës e ka burgosur liderin e atëhershëm të opozitës, Berishën. Berisha akuzon Ramën se po burgos liderin e opozitës. Nesër do të jetë Rama që do të akuzojë kryeministrin e radhës së po burgos liderin e opozitës, por atëherë s’do të ketë kryeministër që ka një precedent si ata të mëparshmit, që darka i zë “armiq” e mëngjesi bashkëpunëtorë. Unë inkurajoj drejtësinë që kushdo që ka kryer vepër penale, të ndiqet penalisht. Dosjet palë të kësaj qeverie që po abuzon me paratë e shqiptarëve duhet të kenë natyrisht përparësi, pasi shqiptarët po vuajnë nga abuzimi dhe keqqeverisja për shkak të korrupsionit dhe lidhjeve me krimin.

Një mazhorancë së cilës i janë arrestuar ishministra dhe deputetë, e akuzuar për lidhje me krimin dhe korrupsionin, me skandale të herëpashershme, sipas jush si qëndron ende në pushtet…?

Për shkak të drejtësisë së munguar në këtë vend për 34 vjet. Sepse është drejtësia, ajo që çon pas hekurave ata që abuzojnë me pushtetin dhe zgjedhjet, jo partitë politike. Është drejtësia, ajo që pamundëson një qeveri të mbajë pushtetin përmes lidhjeve me krimin dhe shitblerjes së votave. Prandaj për ne, një drejtësi e fortë është jetike për vendin. Po ju kujtoj përsëri dosjen “Çyrbja”, si etalon të mënyrës me të cilën kjo mazhorancë vepron përmes krimit për të rrëmbyer vota, duke përdorur po ashtu korrupsionin qeveritar për të blerë vota, përdor burimet shtetërore për të ndikuar në zgjedhje.

Kjo mënyrë e të vepruarit nuk është as meritë dhe as vlerë për ata që fryhen nga maja e malit të korrupsionit për fitore të korrura padrejtësisht. Dhe gjej rastin t’i bëj një thirrje SPAK-ut për të mos vonuar hetimet e abuzuesve me zgjedhjet e po ashtu, e mbështes dhe inkurajoj në ngritjen e pritshme të strategjisë që kanë shpallur për hetimin e krimeve në zgjedhjet që po afrojnë. Por, kjo është vetëm një pjesë e problematikës, ndonëse në 2021-shin ishte më përcaktuesja. S’ka shqiptar që nuk e di se PD-së iu vodh fitorja më 2021. Sot Edi Ramën po e mban në pushtet Sali Berisha.

Z. Rama ka investuar vitet e fundit te mbajtja e hapur e “plagës” që lëndoi opozitën, përmes mediave dhe oligarkëve të tij. Por, tashmë edhe kjo është në sytë e të gjithëve, sepse pazaret e përbashkëta mes “revolucionarëve” dhe “rilindasve” janë më të shumta se protestat. Kam besim të plotë se ky do të jetë fundi i tyre. Për pak muaj qytetarët do të kenë mundësi që të përdorin me përgjegjësi votën e tyre, duke pasur parasysh se diferenca mes atyre që duan që Shqipëria të mos ndryshojë dhe atyre që kanë bërë gjithçka për t’i dhënë një alternativë më të mirë vendit, nuk ka qenë kurrë më e qartë dhe u takon atyre të përcaktojnë me votë në cilin drejtim duan që të shkojë vendi.

Çfarë e rrëzon Edi Ramën nga pushteti?

Një opozitë që lufton për qytetarët e jo për kryetarët e vetëshpallur të saj./ Gazeta Panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com