Ambasadori i Bashkimi Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, vlerësoi punën e institucioneve shqiptare dhe nënvizoi rëndësinë e integritetit dhe transparencës gjatë prezantimit të platformës “Transparent Albania”.
Gonzato theksoi se integriteti është baza e besimit, llogaridhënies dhe drejtësisë, duke siguruar një qeverisje më të mirë dhe institucione më të qëndrueshme. Ai shpjegoi se korrupsioni mbetet një pengesë për zhvillim dhe besim në institucione, duke dëmtuar reputacionin dhe efektivitetin e sistemit.
“BE mbështetet punë tuaj dhe sot shohim përfundimin e një jave të integriteti që ka qenë plot me seanca që na kanë bërë të mendojmë për shumë gjera dhe të gjitha këto diskutime kanë ofruar mendimet të reja për të ardhmen e integritetit të sektorit publik dhe privat. Integriteti është jetik se është parakushti për besim, llogaridhënie dhe drejtësi që shërben për një qeverisje të mitë, por edhe për shoqëri e institucione të shëndetshme. Integriteti nuk ka të bëjë vetëm me administratën publike por duhet të funksionojë edhe në sektorin privat. Etika, vlerat dhe parimet në përgjithësi këto jo vetëm po bëhen praktika të përhershme por janë edhe kërkesë e qytetarëve”, tha Gonzato.
Për ambasadorin, transparenca dhe qasja e drejtë ndaj informacionit publik janë bazat për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm dhe më të përgjegjshëm.
“Korrupsioni minon besimin tek institucionet dhe dëmton reputacionin dhe sjellë mungesë efikasiteti në sistem dhe pengon suksesin në të ardhmen. Integriteti forcon llogaridhënien dhe sjell stabilitet dhe rritje të qëndrueshme për bizneset dhe financat e vendit. Arritja e të gjitha këtyre kërkon bashkëpunimin nga të gjithë aktorët. Qeverisja transparente është gur themeli për të ecur para me integrimin dhe një nga bazat është dhe qasja e duhur ndaj informacionit publik”, u shpreh ambasadori.