Trupi i të ndjerës Alma Arrazi është marrë nga familjarët e saj dhe do të prehet në qytetin e Durrësit, vendlindjen e saj.
Trupi i pajetë 39-vjeçares u gjet një ditë më parë nga polumbarët e RENEA-s në ujërat e lumit Buna.
Bashkë me të, polumbarët mundën të gjenin edhe trupin e pajetë të djalit 3 vjeç.
Bashkëshorti i Almës dhe babai i 3 fëmijëve të ndjerë, Erdgys Arrazi, ka marrë leje nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të dy fëmijëve.
Erdgys Arrazi është lënë në masën e sigurisë ‘arrest në burg’ nga Gjykata e Shkodrës për akuzat dhunë në familje dhe shkaktim të vetëvrasjes.
Tragjedia në Shkodër disa ditë më parë, kur më 2 Maj Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e mitur u zhdukën. Bashkëshorti bëri denoncim të nesërmen. Të shtunën u gjet trupi i pajetë në lumin Buna i vajzës së madhe 9 vjeç, nga një peshkatar i zonës. Të dielën u gjet trupi i vajzës së dytë, ndërsa u gjetën trupat e pajetë të nënës dhe djalit 3-vjeçar.
Nga dyshimet e deritanishme të hetuesve, Alma Arrazi është vetëhedhur në lum së bashku me 3 fëmijët e mitur dhe shkaku dyshohet të ketë qenë dhuna nga burri dhe problemet e tyre bashkëshortore. Familjarët e bashkëshortit thonë se Alma vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe kurohej.
/a.r