Librat, shënimet dhe motori i tij janë gjithçka la pas gazetari Zamir Dule i cili u nda nga jeta 3 ditë më parë. Punoi për pak vite në profesion duke arritur të trazojë me shkrimet e tij në gazetën Koha Jonë, jo pak njerëz derisa në 3 marsin e vitit 1997 u dhunua barbarisht nga strukturat policore.
Gazetari pak para se t’i vihej zjarri redaksisë së gazetës Koha Jonë nga Shik-u, u mor me forcë nga zyrat e saj dhe më pas u rrah barbarisht në Malin e Dajtit e më tej në qelitë e Komisariatit nr 3 në Tiranë çka i shkaktoi probleme të shëndetit mendor.
Pas këtij momenti gazetari i kronikës heshti, por historia e tij rrëfeu shumë më tepër. Vëllai i tij Pëllumbi mes lotësh tregon se kur ngjarja e rëndë ndodhi ai vetëm në fillim i tregoi diçka për atë çfarë pësoi por më tej nuk foli më për këtë histori.
E pavarësisht frikës me të cilën ai jetonte ende, pasionin e tij për gazetarinë e ruante. I mbyllur në shtëpinë e tij në fshatin Miras të Devollit Zamiri dilte vetëm për të blerë libra për të cilat udhëtonte deri në Korçë e në raste të tjera në Tiranë.
Kur mbesa e Pëllumbit Senja prej klasës së parë nisi të shkëlqente në mësime ai i blinte libra dhe e shprehu dëshirën e tij që vogëlushja të bëhej gazetare por kur ajo tha se donte të të bëhej mjeke Zamiri ndaloi së i bleri libra.
Muajt e fundit Zamiri pati probleme të tjera shëndetësore nga zemra dhe pavarësisht çdo gjëje luftoi për të jetuar. Familjarët u kujdesën që ai të trajtohej dhe t’ju nënshtrohej ndërhyrjeve kirurgjikale, por Zamiri nuk mbijetoi dot.
Zamir Dule që në shkollën 9 vjeçare spikati për aftësitë e tij krijuese, fjalorin e veçantë që më pas u përforcuan edhe në gjimnaz kur ai vendosi që e ardhmja e tij do të ishte gazetaria dhe shoku i tij i bankës për 12 vite tregon vendosmërinë e tij për të qenë njeriu i së vërtetës
Zamir Dule ndërroi jetë në moshën 55 vjeçare, por do të mbahet mend si një gazetar ikonik që u trajtua në mënyrë çnjerëzore dhe u sakatua marsin e vitit 1997 për ta bërë që të heshtë por që u martirizua për fjalën e lirë.