Policia e Tiranës ka goditur një grup që trafikonte armë zjarri nga Kosova në Shqipëri, ku gjatë aksionit u arrestuan 4 persona.
Aksioni u finalizua pranë terminalit të autobusëve të juglindjes në Tiranë. 10 armë zjarri u sekuestruan nga agjentët e policisë.
Këto armë ishin trafikuar nga Kosova drejt Tiranës nga 4 të arrestuarit. Këta të fundit janë B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E. Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.
Sipas policisë, pistoletat ishin vendosur brenda një çante që ishte futur në autobus për t’u transportuar. Personat e përfshirë kishin ndjekur me makinë autobusin deri në destinacionin final, ku më pas morën çantën.
Policia e Tiranës thotë se ka dyshime që pronari i linjës së autobusëve së bashku me persona të tjerë kanë trafikuar armë drejt Shqipërisë edhe në disa raste të tjera.
Armët do të shiteshin kundrejt një vlere 1500-3000 Euro.
NJOFTIMI I POLICISË SË TIRANËS:
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Seksionin për Operacionet Speciale në DVP Tiranë, në kuadër të një procedimi penal të ndjekur me metoda speciale të hetimit, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si dhe në zbatim të masave të planit operacional “Sundimi i ligjit”, finalizoi operacionin e koduar “Transportuesi 2”.
Gjatë operacionit, në vendparkimin e një terminali autobusëzh, në Lundër, u kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit: B. K., 28 vjeç, B. Sh., 20 vjeç, E. Th., 25 vjeç, dhe M. K., 20 vjeç, të gjithë banues në Kosovë.
Shtetasi B. K. dyshohet se ka vënë në autobusin me drejtues shtetasin E. Th., një çantë brenda së cilës u gjetën 10 armë zjarri pistoleta, 10 krehra dhe sasi municioni luftarak. Më pas, shtetasi B. K., në bashkëpunim me shtetasin M. K., kanë ndjekur me automjetin e tyre, autobusin, gjatë gjithë itnerarit.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se armët e zjarrit ishin trafikuar në Tiranë, me qëllim shitjen në vlerat 1500-3000 euro. Po nga verifikimet e kryera dyshohet se pronari i linjës së autobusëve, shtetasi E. Th., së bashku me shtetas të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë, në disa raste.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 10 armë zjarri pistoleta, me krehra dhe municion luftarak, 1 automjet dhe 5 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë.