Trafik emigrantësh, kontrabandë mallrash dhe…/ AMP arreston Shefin e Krimeve në Gjirokastër dhe 5 punonjës të tjerë (Emrat)

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka zhvilluar një operacion të gjerë, duke ndaluar dy punonjës policie, një doganier dhe dy shtetas të tjerë, të dyshuar për veprime të paligjshme, përfshirë shpërdorim detyre, kontrabandë dhe falsifikim dokumentesh. Operacioni, i cili u mbështet nga hetimet disa mujore ka çuar gjithashtu në shpalljen në kërkim të një tjetër punonjësi policie.

Në përputhje me urdhërat e ndalimit të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Gjirokastrës, janë ndaluar:

-Kryekomisar Alfred Kondi, Shef i Sektorit të Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë të Vlorës dhe Gjirokastrës, i cili dyshohet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Shpërdorim i autoritetit policor”, kryer në bashkëpunim.

-Nënkomisar Xhevit Dine, Specialist në Seksionin e Inteligjencës dhe Arkivës Kriminale, gjithashtu i dyshuar për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim.

-Inspektor Feim Onjea, pjesë e forcës speciale Shqiponja, i dyshuar për “Shpërdorim të detyrës” dhe “Shpërdorim të autoritetit policor” në bashkëpunim. Ai aktualisht është shpallur në kërkim.

Po ashtu, janë ndaluar edhe dy shtetas për veprat penale të “Kontrabandës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

-Bledar Mustafaraj, doganier në degën doganore të Kakavijës, i dyshuar për “Falsifikim dokumentesh” dhe “Kontrabandë nga punonjës të lidhur me veprimtarinë doganore”.

-Ili Muho dhe Kleodor Kazo, të dyshuar për “Kontrabandë me mallra të tjera” dhe “Falsifikim vulash, stampash dhe formularësh” kryer në bashkëpunim.

Hetimet zbuluan se të dyshuarit ishin të përfshirë në një seri aktivitetesh kriminale. Ata dyshohet se kanë organizuar trafikimin e emigrantëve të paligjshëm dhe kanë favorizuar kontrabandën e mallrave të ndryshme përfitime të paligjshme. Po ashtu, janë të dyshuar për organizimin e lojërave të fatit, në formën e basteve sportive, gjithashtu me qëllim përfitime monetare të jashtëligjshme.

Në përpjekje për të fshehur aktivitetet e paligjshme, punonjësit e policisë dhe doganës, duke shfrytëzuar pozitat dhe detyrat e tyre, kanë ndikuar për të mundësuar dhe lejuar ushtrimin e këtyre aktiviteteve ilegale nga shtetas të ndryshëm.

Si provë materiale, agjentët e AMP-së sekuestruan një automjet tip ML dhe katër aparate celular, të cilat do të përdoren për të hedhur dritë mbi përfshirjen e të dyshuarve në këtë aktivitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com