Policia e Tiranës ka dalë me njoftim në lidhje me një ngjarje të pazakontë. Një grua hyri në një market dhe mori me vete një vajzë 2-vjeçare. Pasi doli nga marketi me vajzën në duar, ajo u kthye sërish në market për ta kthyer.
Ngjarja ka ndodhur në “Rrugën e Barrikadave”.
Sipas policisë, nga dëshmitë e punonjëseve të marketit, gruaja që mori vajzën “ka shfaqur probleme dyshohet të shëndetit mendor”.
Policia njofton se po punon për identifikimin e saj dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me një video të publikuar në një portal në të cilën shfaqet një shtetase në ambientet e një marketi, e cila merr në krahë një fëmijë të mitur, del nga marketi dhe më pas kthehet sërish, ju informojmë se:
Më datë 14.09.2024, është paraqitur në Polici shtetasi E. D., 34 vjeç, i cili ka kallëzuar se në Rrugën e Barrikadave, në një market, një shtetase ende e paidentifikuar, ka marrë në krahë vajzën e tij të mitur 2 vjeçe, ka dalë nga dera e marketit dhe më pas është rikthyer sërish.
Shërbimet e Policisë menjëherë kanë shkruar në vendngjarje ku kanë administruar pamjet filmike si dhe kanë pyetur punonjësit e marketit të cilët kanë pohuar se shtetasja në fjalë, gjatë komunikimit ka shfaqur probleme dyshohet të shëndetit mendor.
Vijon puna për identifikimin e saj dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.