Tiranë/ Narco Taxi: 4 muaj hetime…kokainë dhe punonjëse seksi

Shënim: +18, materiali që do të shfaqet përmban imazhe dhe dukuri që mund të jenë të papërshtatshme për disa shikues!

Tirana! Qyteti më i gjallë i vendit. Ku ora nuk ndalon e zhurma nuk fle kurrë.

Veç rritjes së banorëve janë mbi 10 milionë turistë të huaj vetëm përgjatë vitit të fundit, të cilët kanë zgjedhur të vizitojnë kryeqytetin. Dhe këto numra vetëm po shtohen. Por sa më shumë shtohen banorët dhe vizitorët, aq më shumë shtohet domosdoshmëria për t’iu përgjigjur kërkesave të tyre. Një ndër to, ndoshta më e rëndësishmja, është nevoja për një transport efikas, që arrin të mbulojë shtrirjen e një qyteti të madh e në zhvillim.

Pikërisht për këtë arsye, vec transportit publik, ka lulëzuar edhe numri i kompanive të taksive në kryeqytet, një nga bizneset më të suksesshme të kohës.

Sot Tirana ka të licensuara gati 2000 taksi, e sipas të dhënave zyrtare, sektori është është ndarë në dy grupe të mëdha, nga të cilat 1256 janë taksistë individual dhe 58 janë kompani taksish me 655 taksi. Ky numër tregon se kërkesa për transport është e lartë, e po ashtu edhe problemet. Veç rëndesës në trafik, ankesat e qytetarëve shkojnë nga abuzimet me çmimin që shpesh herë është arbitrar, në mos abuziv, deri tek cilësia dhe siguria e udhëtimit.

Lindja e kompanive, që tashmë po dominojnë tregun duke zhdukur taksitë private, ka dhënë kontribut në zhdukjen e disa prej problemeve që kanë egzistuar prej vitesh. Një ndër to, cilësia e mjeteve të përdorura. Kompanitë e taksive kanë investuar fonde të mëdha në mjete të reja, shumica madje edhe elektrike, duke vendosur një standard për klientët e duke ruajtur njëkohësisht ambjentin nga ndotja.

Por shërbimi taksi është një shërbim publik, pavarësisht se operon nën ombrellën e kompanive private. Ndaj kërkesa për standarte është shumfish më e lartë. Dhe për një treg kaq të madh, në numër kompanish, mjetesh por dhe parash, nevoja për të plotësuar këto standarde është absolute.

Tregu i taksive sot qarkullon një xhiro vjetore e cila nga viti 2018 e deri në vitin 2022 është gati dyfishuar me një vlerë prej 3.378.988 lekë. Dhe këto janë vetëm vlerat e deklaruara zyrtarisht, pasi tregu informal i taksistit që nuk të jep faturën fiskale, është thuajse dhe një herë sa kaq. Por mesa duket, zhvillimi i këtyre kompanive, tregu në rritje, dhe nevoja për tu zgjeruar më shumë, ka lënë pas dore kërkesat minimale për siguri që u kërkohet këtyre kompanive të përmbushin.

Boll shqetësues do të ishte problemi i evazionit fiskal, problemi i mungesës së standarteve të shërbimit, trafiku, oraret, e shumë e shumë të tjera. Por me çfarë do ju tregojmë, të gjitha këto më sipër ngjajnë një shaka e vogël. Shumë prej taksive në kryeqytet po shëndrrohen në korrierët kryesorë të shpërndarjes së drogës dhe femrave, shpesh herë edhe minorene. Dhe ky është problemi kryesor.

Eduart Mishova, taksist prej 25 vitesh tregon sesi dëshira për të përfituar gjithmonë e më shumë i çon këta shoferë, në një tjetër mision, shumë larg nga ai i taksistit.

“Këtu bëhesh president duke paguar lekë, jo taksist.”

Eduarti, 59 vjeç, nuk e ka menduar ndonjëherë të përfshihet në këtë rrjet të padukshëm me të cilin ZËRI ju njeh sot.

“Është mendja që kemi ne shqiptarët që duam të pasurohemi menjëherë, e gënjen 100 mijë lekshi apo 1 milionshi që mund të ketë puna në atë rast.”

“Fillojnë me rini këto punë. Unë tani e kam marrë vesh që edhe pasurimi me shpejtësi nuk më bën mirë, se mbaj dot.”

Skuadra e ZËRI ka ndjekur për gati 4 muaj një fenomen që është kthyer masiv në Tiranë. Shoferë taksish, kryesisht ata të kompanive private që operojnë në kryeqytet, janë përfshirë në një ‘biznes’ të ri.

Shitjen e kokainës për klientët e taksive.

Skuadra e ZËRI-t nisi investigimin me disa taksi që operojnë në zona të ndryshme të kryeqytetit. Të gjithë pohojnë se kokaina shitet dhe është kollaj të gjendet. Me kalimin e netëve, ekipi i gazetarëve tanë nisi të zbulojë se rrjeti i taksive që bën burimin dhe korrierin e kokainës është gjithmonë e më i madh. Kokaina, kjo lëndë psikotrope iu vjen në ndihmë atyre që bëjnë festa, i mban zgjuar dhe në humor të mirë. Netët janë të gjata për ta dhe taksistët si banorët që janë zgjuar në këtë realitet vetëofrohen për të gjetur drogë.

Për të shkuar në themel të realitetit në këtë rrjet taksish që shërbejnë si korrierë droge dhe sekserë prostitucioni, ZËRI infiltroi një bashkëpunëtor, i cili për 3 muaj ishte klienti ideal i këtij grupi. Ne provuam atë që ju sot do të shihni me zë dhe figurë. Shoferë që shesin dhe pinë drogë. Më pas dalin sërish në rrugë për të kapur klientin e radhës dhe për të bërë rrugë të tjera, me një qëllim, të bëjnë para, shumë para.

Bashkëpunëtori nis misionin me një nga shoferët e rrjetit të taksive LUX në kryeqytet, një nga kompanitë kryesore të tregut.

Taksisti jo vetëm që ka dijeni për shitjen e kokainës, por ai tregon sesi rrjeti funksionon ku klientët që duan kokainë mund të marrin edhe punonjëse seksi dhe shkojnë me to në hotele të posaçme që funksionojnë si një trinom. Klienti merr taksinë, kërkon kokainë dhe një femër dhe taksia në këmbim e dërgon në hotelin përkatës dhe i jep drogën. Bashkëpunëtori ynë hipi me të dhe taksisti jo vetëm gjeti dhe ndërmjetësoi shitjen e kokainës por edhe e konsumoi vetë atë.

I infiltruari ynë kërkon më shumë…

Po i njëjti taksist, ditën e dytë që bashkëpunëtori e telefonoi, gjëja e parë që flet dhe kërkon është kokaina.

Në bisedë e sipër, taksisti tregon sesi ka vjedhur paratë e kompanisë për të blerë kokainë dhe për të shkuar në një nga hotelet e rrjetit.

Në këtë moment, taksisti porosit kokainën me mesazh te shpërndarësi në zonën e Kasharit dhe më pas e telefonon. I infiltruari dhe taksia shkojnë të marrin drogën. Siç mund të shihni është vetë shoferi i kompanisë LUX taxi që del nga makina e kompanisë me ngut dhe merr drogën për t’ja shitur bashkëpunëtorit. Në këtë moment bëhet edhe shkëmbimi i drogës mes tyre. Taksisti pasi ka konsumuar njëherë kokainën që i shiti bashkëpunëtorit kërkon sërish drogë, ndërsa tregon sesi ka pirë drogë dhe alkool në orarin e punës.

Bashkëpunëtori ynë vijoi aventurën e tij të rrezikshme kësaj here me një nga shoferet vajza të Blue Taxi që tregonte sesi kjo kompani një nga më të rejat në treg operon me makina komplet pa licensë. Ajo edhe mburret sesi makina e palicensuar i bën karshillëk Policisë.

Bashkëpunëtori ynë e rimori shoferen e Blue Taxi një tjetër ditë, por vajza shprehu se nuk kishte vetë dijeni për shitjen e kokainës por njihte menaxherë lokalesh dhe persona të tjerë që janë të përfshirë në rrjet. Në vijim, bashkëpunëtori ynë vendosi të ritentojë një taksi të kompanisë Blue, për një xhiro nëpër qytet. Aq masiv është fenomeni saqë sapo i infiltruari hap gojën për të kërkuar diçka, përgjigja që merr është “kokainë”.

Menjëherë pa humbur kohë, ky taksist telefonon shokun e tij shpërndarës dhe shkon drejt bazës së tij të drogës që ndodhet mbrapa “Grand” në Astir. Duke mos e patur aspak problem, taksisti i Blue Taxi merr shpërndarësin në makinë dhe negocion pazarin për dozën e kokainës.

Me zbritjen e shpërndarësit, ky taksist tregon sesi funksionon rrjeti kriminal ku ai bën pjesë. Me një përshëndetje të përzemërtë, bashkëpunëtori ynë përmbyll investigimin me kompaninë Blue Taxi, duke menduar se tregu i kompanive të tjera do të ishte ndoshta më i sigurt. Por ka mjaftuar një xhiro me 2 nga shoferët e King Taxi për të parë sesi kokaina është një nga shërbimet kryesore ndaj klientelës. I infiltruari hyn në King Taxi dhe pas një prezantimi të shkurtër kërkon nga taksisti i KING, drogë të llojit kokainë.

Me konfirmimin se shpërndarësi po vinte, i infiltruari zbulon se taksisti nuk e kishte këtë herën e parë. Ai ishte garant i cilësisë së kokainës së këtij grupi. Në këtë moment shpërndarësi hyn në makinë dhe kërkon të shkojë ta marrë drogën te shtëpia e tij te Rruga e Elbasanit. Në këtë moment, shpërndarësi bëhet paranojak dhe paralajmëron taksistin që nëse vjen Policia, të dy nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Në mënyrë të sofistikuar, shpërndarësi mëson taksistin që të hapë krahun dhe nëse vjen policia të pretendojë se ka qenë i ndaluar atje dhe nuk ka lidhje me të.

Shpërndarësi ikën të marrë drogën dhe njësoj si në çdo kompani edhe King shet kokainë dhe nuk pyet për rregullat e vendosura për cigaren.

Në këtë moment shpërndarësi telefonon taksistin për ti thënë se cilësinë e mallit e ka të lartë.

Një tjetër shofer i King Taxi rezulton se ka një bazë ku mund të marrë kokainë.

Në 7:30, bashkëpunëtori mori sërish taksistin e King, por ai deklaroi se shpërndarësi nuk ishte i disponueshëm në këtë ditë.

Netët e Tiranës janë të gjata e të ftohta në dimër, por jo në rrugët e ndezura me kokainë, femra e alkool. Në zonën e ish-Bllokut, bashkëpunëtori ynë mori një Smart Taxi për ti kërkuar të njëjtën gjë si 3 kompanive të tjera. Pasi e ka konfirmuar në telefon, të nesërmen taksisti i Smart njofton se ka gjetur drogën dhe është gati për të bërë shkëmbimin. Një realitet shokues për të cilin duket se institucionet janë shumë larg kontrollit dhe verifikimit. E gjithë kjo situatë nën hundët e institucioneve dhe mbi të gjitha në shkelje të plotë të një ligji që prej më shumë se 8 vitesh është në fuqi dhe askush nuk e zbaton. Një ligj që nëqoftëse do të zbatohej, do të parandalonte fenomene të tilla.

Ligjin nr.19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”, detyron çdo subjekt privat që merret me transport publik qytetarësh, përfshi këtu edhe taksitë, të vendosin kamera sigurie në automjetet e tyre si dhe të kenë të instaluar një system GPS.

Ky investigim tregoi se të gjitha kompanitë nuk i kanë kamerat të instaluara duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi rolin e institucioneve që kanë për detyrë monitorimin e përmbushjes së kritereve ligjore nga kompanitë që kryejnë shërbimin taksi, që do të thotë, duke lejuar që taksitë të kthehen në narko taksi, burim dhe korrierë kokaine në mes të kryeqytetit, në sy të të gjithëve.

Ndërkohë që edhe Sindikata e Taksive ka pak në dorë.

Lutfi Isufi, taksi prej 10 vitesh në Tiranë thotë se taksist në Tiranë mund të bëhet kushdo ndërkohë që pa dëshmi taksisti garancitë për të pasur një udhëtim të sigurt janë të ulta. Eduarti propozon një testim psikologjik për sektorin taxi. Ndërkohë që ky shërbim është tërësisht jashtë kontrollit dhe kompanitë që operojnë në vend e kanë totalisht jashtë vëzhgimit punën që bëjnë shoferët e tyre, të gjithë këta aktorë harrojnë rëndësinë e këtij sektori në jetën dhe shoqërinë e një vendi. Më shumë se një biznes, shërbimi taksi është një shërbim për qytetarët, që siç tregojnë edhe shifrat po bëhet gjithnjë e më i kërkuar. Por, a është koha për të kërkuar më shumë siguri dhe kontroll? A duhet që institucionet të jenë më në alert dhe të zbatojnë ligjin?

Ndoshta është koha që taksitë, nga një treg me një këmbë në botën e errët të kriminalitetit, drogës dhe prostitucionit, të detyrohen prej institucioneve shtetërore që të rikthehen në mjetet më të sigurta të transportit publik, duke i garantuar qytetarëve dhe turistëve, kënaqësi dhe siguri.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com