Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka publikuar sërish mesazhin që la në Prishtinë, ku është shprehur kritik se si në Kuvendin e Kosovës s’është marrë asnjë iniciativë për të ngritur shqetësimet sa i përket procesit gjyqësorë në Hagë
“Por sot që jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpall dhe u firmos pavarësia e Kosovës. Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi vazhdojnë të mbahen peng prej gati 5 vjetësh në qelitë e drejtësisë ndërkombëtare, që në çdo hap ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e drejtësisë.
Unë s’e kam diskutuar të drejtën e asaj gjykate speciale që ia kanë hartuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku vetë Hashimi ka ngritur dorën për tu formuar ajo gjykatë. S’mund të rri dot pa ua thënë vëllazërisht, çudinë time që në këtë sallë s’është marrë një nisëm, për t ju kërkuar përmes një rezolute të përkrahur nga të gjitha partitë politike, të gjitha vendeve financuese të asaj gjykate për të shprehur shqetësimin e madh për standardet e atij procesi dhe për të kërkuar një mision verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit”, tha Rama në Kuvendin e Kosovës.
Rama gjithashtu ka thënë se nëse Kuvendi i Kosovës do të ndërmerrte ndonjë iniciativë për të votuar ndonjë rezolutë lidhur me procesin e gjykimit që po ndodhë në Gjykatën Speciale, ka premtuar se partia e tij do ta depozitonte edhe në Kuvendin e Shqipërisë të njëjtën rezolutë, nëse do t’i kërkohej.