Tërmeti i fuqishëm në Mianmar me magnitudë 7.7 goditi disa vende në Azinë Juglindore: Bangladesh, Indi, Laos, Tajlandë.
Ndërkohë, Qendra e Rrjeteve të Tërmeteve të Kinës (CENC) tha se tronditja ishte me magnitudë 7.9, sipas agjencisë së lajmeve Xinhua, me një postim në mediat sociale nga CENC duke thënë se “dridhjet u ndjenë në Yunnan”.
Agjencia e lajmeve AFP raportoi nga kryeqyteti i Myamar, Naypyidaë, se rrugët u çanë nga forca e lëkundjeve dhe copa tavanesh ranë nga ndërtesat.
Në kryeqytetin fqinj të Tajlandës, Bangkok, banorë të befasuar dolën nga ndërtesat e larta. Dëshmitarët thanë se lëkundjet ishin mjaft të forta.
“E dëgjova dhe isha duke fjetur në shtëpi, vrapova sa më shumë me pizhame nga ndërtesa,” i tha AFP Duangjai, një banor i qytetit turistik të njohur verior Chiang Mai.
Disa shërbime të metrosë dhe hekurudhave të lehta u pezulluan në Bangkok.
Kryeministrja tajlandeze Paetongtarn Shinawatra tha të premten se kishte ndërprerë një vizitë zyrtare në ishullin jugor të Phuket për të mbajtur një “takim urgjent” pas një tërmeti të fuqishëm, sipas një postimi në X.