Bashkimi Evropian ka vendosur të pezullojë përkohësisht kundërmasat ndaj Shteteve të Bashkuara, në përgjigje të tarifave të vendosura nga administrata Trump për importet e çelikut dhe aluminit. Vendimi vjen pas njoftimit të presidentit Trump për një pauzë 90-ditore të zbatimit të tarifave ndaj vendeve të goditura, përfshirë edhe vendet e BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se BE dëshiron t’i japë një shans negociatave përpara se të ndërmarrë masa hakmarrëse. “Kemi vendosur të tregojmë përmbajtje dhe të presim rezultatet e bisedimeve,” u shpreh ajo.
Vetëm disa orë përpara këtij zhvillimi, 26 nga 27 vendet anëtare të BE-së kishin votuar në favor të vendosjes së kundërmasave – me Hungarinë si vendin e vetëm që votoi kundër.
Sipas planit të përgatitur nga Komisioni Evropian, kundërmasat do të zbatoheshin në tri faza: faza e parë më 15 prill për mallra me vlerë 3,9 miliardë euro, faza e dytë më 15 maj për mallra me vlerë 13,5 miliardë euro dhe faza e tretë më 1 dhjetor me vlerë 3,5 miliardë euro.
Këto masa u propozuan në përgjigje të tarifave 25% për çelikun dhe aluminin, të cilat SHBA i aktivizoi në mes të marsit dhe që prekin jo vetëm BE-në, por edhe shumë vende të tjera në mbarë botën. Negociatat në ditët në vijim pritet të përcaktojnë nëse pauza e përkohshme do të çojë drejt një marrëveshjeje më të qëndrueshme tregtare mes dy blloqeve.