Tentoi të korruptonte gjyqtarët e Apelit, lihet në burg kreu i Dhomës së Avokatisë së Korçës

GJKKO ka lënë në qeli kreun e Dhomës së Avokatisë së Korçës, Arben Lena i cili akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion me vlerë 5 mijë euro.

Arben Lena dyshohet se së bashku me disa funksionarë publikë tentuan të korruptonin gjyqtarët e Apelit të Korçës për zbutjen e masës së sigurimit ndaj shtetasit Bledar Kozici.

Ai u arrestua të shtunën (27 Janar) me urdhër të SPAK pas një hetimi disamujor.

Në hetim, përveç kreut të Dhomës së Avokatisë së Korçës janë edhe disa funksionarë publikë, ndaj të cilëve masa e sigurisë u caktua në 25 Dhjetor 2023.

Sipas SPAK, të akuzuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” duke marrë një shumë prej 5000 eurosh për të ndikuar në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurimit ndaj shtetasit Bledar Kozici, i cili hetohej per veprën penale te parashikuar nga neni 298 i K. Penal.

Ndërsa Dritan Tabaku, dyshohet se ka kryer veprën penale të “Moskallëzimi i krimit”.

“Nga hetimet e kryera deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasit Dajana Kodra, Nikoll Hafesllari, Nikoll Jesku, Bledar Kozici dhe Artiana Kozici në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në formën e kërkimit të përfitimit të parregullt të një shume prej 5000 (pesë mijë) eurosh me qëllim ushtrimin e ndikimit në Gjykatën e Apelit Korçë për zbutjen e masës së sigurimit të shtetasit Bledar Kozici, i cili hetohej per veprën penale te parashikuar nga neni 298 i K. Penal”, njoftoi SPAK.

/f.s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com