Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar, John Healey tha se Rusia mbetet kërcënimi më urgjent dhe i menjëhershëm për Britaninë dhe shtoi se çdo kërcënim ndaj vendit të tij do të përballet me forcë dhe vendosmëri.
Sipas mediave të huaja, një nëndetëse sulmuese e Marinës Mbretërore të Britanisë hasi me një anije spiune ruse në brigjet e Mbretërisë së Bashkuar.
Nëndetësja britanike raportohet se lëshoi një paralajmërim të jashtëzakonshëm ndaj anijes ruse, për të ndaluar spiunimin e kabllove britanike nënujore, ka zbuluar Sekretari i Mbrojtjes.
John Healey, në një deklaratë shumë të pazakontë për deputetët, tha se incidenti me HMS Astute ndodhi në nëntor, por anija kërkimore ruse, e quajtur Yantar, më pas u kthye në ujërat e Mbretërisë së Bashkuar këtë javë.
Për të kundërshtuar misionin e parë të spiunazhit, i cili kaloi nëpër ujërat e Kornishit, ai tha se ndryshoi rregullat e angazhimit të marinës për t’u mundësuar anijeve luftarake britanike dhe nëndetëses t’i afroheshin anijes dhe të gjurmonin më mirë aktivitetet e saj, shkruan A2 CNN.
Në një mesazh drejtuar presidentit rus Vladimir Putin, zoti Healey tha: “Ne ju shohim. Ne e dimë se çfarë po bëni. Dhe ne nuk do t’i shmangemi veprimeve të fuqishme për të mbrojtur këtë vend.”
Është shumë e rrallë që Mbretëria e Bashkuar të zbulojë detaje rreth lëvizjes së flotës së saj sekrete të nëndetëseve me energji bërthamore.
Një vendim për t’i thënë Parlamentit se një nga nëndetëset ishte shfaqur pranë anijes së vëzhgimit nënvizon seriozitetin ekstrem me të cilin Mbretëria e Bashkuar e sheh aktivitetin rus në nëntor dhe përsëri këtë javë.