Teliti: Buxheti i vitit 2025, si tepsia e llokmave për qeveritarët dhe e thërrimeve për shqiptarët

Partia Demokratike, përmes këshilltarit për çështjet ekonomike Dorian Teliti, tha se buxheti i 2025-së, nuk parashikon rritje pagash dhe pensionesh.

Në deklaratë për mediat, Teliti tha se ashtu sikundër, sipas tij, ka ndodhur në 11 vitet e shkuara, socialistët kanë çuar në Kuvend për miratim një projekt “prej të cilit do të përfitojnë pushtetarët dhe do të varfërohen më tej qytetarët”.

“Buxheti 2025 nuk është buxheti i rritjes së pagave. Zero lekë për to. Nuk është as buxheti i ish të përndjekurve politike. Akoma më të goditur janë pronarët e vjetër: fondi për kompensimin e pronave të tyre ulet me 20 milionë euro. Atëherë kujt i shërben buxheti 2025? Luksit qeveritar. 25 milionë euro më shumë parashikohen për shpenzimet operative të qeverisjes qendrore. I shërben kontratave klienteliste e korruptive të koncesioneve PPP, të cilat gjatë 2025 do marrin 143 milionë euro. S’duan t’ia dinë se disa kontrata janë nën hetim nga prokuroria, s’duan t’ia dinë që inceneratori i Tiranës nuk ekziston. Paratë do paguhen. Shërben për të mbuluar papërgjegjshmërinë në menaxhimin e pronës dhe fondeve publike, duke paguar nga buxheti i shqiptarëve vendimet e humbura në gjykatat ndërkombëtare, konkretisht 199 milionë euro”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com