“Telefonoi babanë, ai i tha ç’të bënte”, Ismaili zbardh lëvizjet e Marios: Taksia e çoi në spital, aty bëri dhe foto

Zëvendës shefi i Krimeve në Policinë e Tiranës, Erion Ismaili ka zbardhur lëvizjet që ka bërë Mario Perlleshaj menjëherë pas sherrit me thika në ambientet jashtë shkollës “Fan Noli”, ku mbeti i vrarë Martin Cani dhe u plagos shoku i tij, Luis Meçaj. Plagë mori dhe vet Mario.

Sipas tij, i mituri ka marrë monopatinën dhe është larguar nga vendi i ngjarjes për të marrë mjekim pranë qendrës shëndetësore të zonës. Më pas, ka telefonuar babain e tij dhe ai e ka orientuar të shkonte në Spitalin Ushtarak, apo siç njihet, Trauma.

“Shkon merr mjekim në qendrën shëndetësore. Merr komunikim me babain e vet dhe ai e orienton të shkojë në Spitalin Ushtarak. Ka marrë taksi dhe aty ka bërë një foto. Ai (taksisti) e ka marrë nga sheshi aty dhe e ka çuar te Spitali Ushtarak. Nuk kemi të bëjmë me një kallëzim të rremë”, është shprehur zëvendës shefi i Krimeve në Policinë e Tiranës, Erion Ismaili.

Megjithatë, pavarësisht deklarimeve në emisionin “Top Story”, Mario Perlleshaj është shtruar për ditë me radhë në një spital privat në Tiranë dhe aty ka qëndruar deri ditën që u transferua në paraburgim.

Shefi i Policisë ka sqaruar për herë të parë se fotografinë me njërën dorë grusht dhe tjetrën të fashuar Marios ia ka bërë shoku i tij, i cili e ka takuar rastësisht në rrugë.

“Fotografinë e ka bërë në taksi, ia ka bërë një shoku i vet. Nuk ka qenë i përfshirë në konflikt, e ka takuar në rreth rrotullimin tek “Avni Rustemi”. Ka një foto që tregon grushtin dhe dorën”, u shpreh zyrtari Erion Ismaili. Fotografia së cilës ai i referohet, është ajo në ballinën e këtij artikulli.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com