Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës mbrëmjen e sotme, kur një konflikt mes disa të rinjve ka përfunduar me të shtëna me armë zjarri. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:30 në bulevardin “Ismail Qemali”.
Sipas raportimeve, konflikti filloi pas një debati virtual, i cili agravoi kur njëri prej personave të përfshirë nxori një armë zjarri tip pistoletë dhe qëlloi një herë, dyshohet në ajër. Autorët e ngjarjes u larguan menjëherë pas incidentit, duke përfituar nga errësira.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar. Policia ka nisur menjëherë hetimet për të identifikuar dhe kapur autorin e të shtënave. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e ngjarjes.