Të pathënat e vitit të mbrapshtë 1997 u diskutuan sot me ish-deputetin e Partisë Socialiste, Spartak Braho në “Frontline” në Report TV.
Braho i quan ato ngjarje historike, ku secila prej tyre ishte e mbushur me gjak.
“U shoqëruan me mbi 300 të vrarë. Por është vit i ngjarjeve historike. Apo siç i quan një kolegu juaj, gjurmë të historisë.
Çdo ngjarje është e mbushur me gjak. Ka nevojë edhe për saktësime. Ajo puna ndaj atentatit ndaj Berishës nuk është e saktë. Në atë periudhë kam qenë drejtues i PS në Durrës. Edhe në Durrës ngjarjet filluan të agravojnë. Është falimentimi i Sudes dhe disa firma piramidale.
Natyrisht i justifikoi edhe thënia e Berishës që ky është lek i pastër. Kur në fakt ishte fenomen mashtrimit. I provuar më parë edhe në vende të tjera që nuk kishte justifikim ekonomik. Të fusësh 1 edhe të marrësh 3 ishte bllof. Klima ekonomike ishte e tejskajshme negative.”, tha Braho.
Braho shton se këto firma piramidale u stimuluan nga ish-presidenti në atë kohë Sali Berisha.
“U stimulua veçanërisht nga mbrojtja që u bëri këtyre firmave Sali Berisha. Ndodhi katrahura. Përgjegjësia u pa në zgjedhjet e qershorit të 97 ku humbja ishte shumë e thellë.”, shton Braho
Këto ngjarje u hetuan nga një komision hetimor por më pas nuk kishte hetime nga prokuroria.
“Duhet të ishte hetuar. U krijua një komision hetimor. Isha së bashku me zotin Ngjela drejtues i këtij Komisioni. Hetuam tërë shkaqet pse ra shteti në 97. PS në atë kohë me vonesë hyri për të drejtuar apo për ta shfrytëzuar këtë rast politikisht.
Demonstratën e parë e bëmë në Tiranë nën drejtimin e profesor Rexhep Meidanit. Madje profesor Rexhepi u thirr në prokurori dhe u tentua të hetohej për organizime të mitingjeve të paligjshme.”, shpreh Braho./m.j