Në 10 vitet e ardhshme vendi ynë synon që të modernizojë forcat e armatosura për t’u përgjigjur sfidave të reja sigurisë. Sipas Strategjisë Ushtarake të publikuar së fundmi kokusi kryesor do të jetë modernizimi i sistemeve të mbrojtjes kundër dronëve, mbrojtjes ajrore me sisteme me rreze të shkurtër veprimi si dhe sistemeve të mbrojtjes me rreze të mesme veprimi.
Madje projekti parashikon të zhvillohen edhe platformat e lëshimit të raketave me një rreze të largët veprimi. Shqipëria do të vijojë të sigurojë helikopterë shumë-përdorimësh, qoftë në mbrojtjen civile, apo dhe për veprime ushtarake. Risia në këtë rast është parashikimi për të blerë avionë luftarakë. Pas heqjes nga përdorimi të avionëve “MIG” dhe modeleve të tjera të para vitit 1990, kjo është hera e parë që ushtria shqiptare synon plotësimin, kjo dhe pas sigurimit të dronëve dhe helikopterëve nga vendet partnere.
Mbrojtja detare, po ashtu, do të shtohet me një anije të nivelit të mesëm dhe një anije luftarake. Mbrojtja tokësore parashikohet të ketë në dispozicion autoblinda qoftë në përdorim në betejë apo dhe në lëvizje. Armatimet e lehta do të vazhdojnë të sigurohen për batalionet në Shqipëri. Gjithashtu, edhe pas kërkesës së Ukrainës dhe vendosjes për aleancës së NATO-s si prioritet, vendi do të rrisë prodhimin e armëve të lehta dhe municioneve.
/a.r