Ditën e parë të fushatës, kandidati presidencial, Stevo Pendarovski, e përmbylli me njw miting në Prilep.
“Më kujtohet se çfarë kam thënë para 5 viteve dhe mund t’ju shikoj në sy, e të mos turpërohem”, tha Pendarovski.
“Gjënë kryesore që kam thënë, është se do të jem president i të gjithëve. Nuk shoh parti, familje, fe apo komb, shoh kush është njeri. Fëmijët këtu do të kenë shanse që të mbeten dhe të prosperojnë, vetëm nëse ka kushte për jetë dinjitoze”, vijoi ai.
VMRO-DPMNE fushatën e nisi me tubim para qeverisë. Kandidatja për presidente, Gordana Siljanovska Davkova, bëri thirrje që të ruhen vlerat themelore të rendit kushtetues.
“Nuk shkohet në Evropë me retorikë BE, NATO. Por me respektimin e dhe praktikimin e vlerave vetëm nëse bëhemi shtet normal e standard në kuadër të BE-së. Gjithë këto vite nuk zbatuan asnjë kriter të Kopenhagës. Ne do ta bëjmë këtë. S’ka nevojë që të përsërisim diçka nëse ekziston”, tha Gordana Siljanovska Davkova, kandidate për presidente.
“Fronti Evropian” ka hapur shtabin zgjedhor në Likovë. Kandidati presidencial, Bujar Osmani në fjalimin e tij ka theksuar se misioni i presidentit të parë shqiptar është pjesë e mozaikut të madh të lirisë.
Kandidati për president i koalicionit VLEN, Arben Taravari, ka marrë pjesë në hapjen e shtabit zgjedhor në Dibër, kurse kandidaturën e tij e kanë promovuar edhe liderët tjerë të opozitës shqiptare.
“Levica” fushatën e nisi nga Strumica. Siç thanë nga kjo parti, nga bastioni i “zaevizmit” kanë dërguar mesazhin se është koha që LSDM-ja të mposhtet dhe të hiqet si parti dominante në spektrin politik majtist.
“Na morën vullnetin për progres, por edhe shpresën. Na plaçkitën, na shkelën nderin dhe na larguan më të dashurit. Të gjitha na i morën veç shpirtit. Ta kthejmë dinjitetin në Maqedoni. Do të jem presidente e të gjithë të varfërve, të diskriminuarve”, tha Biljana Vankovska, kandidate për presidente.
Kandidati presidencial i koalicionit “Me guxim për Maqedoninë”, Stevço Jakimovski, realizoi takim me qytetarë në Tetovë. Ai edhe një herë i është rikthyer çështjes së mungesës së debatit.
“U ikin debateve se po fshehin diçka. Mendojnë se për shkak se kanë marrë nga 975.000 euro kanë ndonjë përparëse. Jo miliona, miliarda le të derdhin, populli e kupton se kush me sinqeritet lufton për qytetarët e Maqedonisë, e kush përpiqet t’i gënjejë”, tha Stevço Jakimovski.
Kandidati presidencial i partisë “Znam”, Maksim Dimitrievski, hapi fushatën në Krushevë me prezantimin e programit të tij që ka 5 parime strategjike dhe 5 prioritete për 200 ditët e para nëse zgjidhet si president.
Dimitrievski propozon që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi pasi Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së.
/a.r