Afro 240 mijë objekte pa leje do të legalizohen brenda 4 viteve .Në shator në këtë proces do të përfshihen të gjitha bashkitë në vend. Ministri për pushtetin vendor Arbian Mazniku ka shpjeguar për “Top Channel” se prioritet do të kenë ne fillim banesat. Por cili do të jetë roli i bashkive dhe i qytetarëve për të përshpejtuar këtë proces?
Zoti Mazniku qeveria përfshiu bashkitë në procesin legalizimeve. Por cili është roli i bashkive?
Mazniku: Procesi i legalizimit deri tani ka qenë një proces që përfshin qytetarin si aplikant dhe zyrën e ASHK e cila që ka tagrin ligjor për të bërë procesin e legalizimit, verifikimin në terren, verifikimin e dosjeve, verifikimin e kushteve. Ky element nuk ndryshon sepse ky është një element ligjor, por shtohen disa role të bashkisë në këtë proces.
Së pari bashkisë i jepet e drejta për të caktuar përparësinë dhe ritmin e punës në territorin e vet. Që do të thotë bashkia thotë cila lagje do të bëhet këtë javë, cila dosje do të bëhet në një periudhë të caktuar kohe? I jepet e drejta bashkisë dhe kryetarëve të bashkisë që të përcaktojnë ritmin e punës së ASHK në qytetet respetkive.
Së dyti i jepet mundësia bashkive që të krijojnë një zyrë të posaçme “help desk” ku qytetarët mbështeten për ndihmë kur qytetarët kanë nevojë për të plotësuar një dokument, nuk kanë kuptuar diçka, përcaktojnë datën kur do të shkojë grupi i punës për të bërë matjet etj.
Së treti bashkive i jepet e drejta që t’i japin zyrës vendore që merret me legalizimet mbështetej në burime njerëzore apo në financë për të shtuar njerëz. Nëse një bashki thotë zyra jonë e legalizimit ka vetëm 5 punonjës por ne do të donim që të kishim 10 veta që të ecim më shpejt me këtë proces, të bëjnë më shumë matje më shumë dosje, në atë moment bashkia ka mundësi të financojë të shtojë staf në zyrën vendore të ASHK në mënyrë që puna të marrë një ritëm tjetër.
Së fundmi që është dhe më e rëndësishme ne do të krijojmë një sistem digjital ku të gjitha dosjet e legalizimit do të hidhen në këtë sistem në mënyrë që të monitorohen i gjithë procesi. Pra monitorohen si nga bashkia dhe ASHK.
Cili do të jete roli im nëse unë kam një objekt për të legalizuar? Çfarë duhet të bej?
Mazniku: Nëse keni një objekt për të legalizuar një ndër gjerat që do të ndodhë që në fillim të shtatorit do te ketë komunikim dhe me zyrën e ASHK dhe me bashkinë në mënyrë që të shqyrtohet ajo dosje me prioritet.
Të shikohet ku ka ngecur procesi dhe të fillojë le të themi një riinicim i procesit të dosjes përkatëse. Përveç ASHK që merret me këtë punë, qytetarët do të shkojnë edhe në bashki ku do të ketë një person përgjegjës dhe një zyrë përgjegjëse për t’u marrë me çështjen përkatëse.
Ne jemi duke komunikuar me 61 kryetarët e bashkive për të caktuar personin përgjegjës apo zyrën përgjegjëse dhe brenda shtatori do të jenë të afishuar në një faqe qendrore emrat për secilën bashki kush do të jetë zyra përgjegjëse dhe personat përgjegjës që do të merren me ketë pune
Duket sikur po përshpejtohet procesi i legalizimit me këtë ndërhyrje. Por janë rreth 240 mijë objekte për t’u legalizuar. Kur mendoni se do të mbyllet ky proces?
Mazniku: Ligji parashikon që në 2028-ën të mbyllet procesi i legalizimit. Prioritet ne do të kemi banesat dhe banesat mikse, pra ato që kanë edhe shërbim. Por ne kemi bashki që kanë 60 dosje, 100 dosje do fillojmë t’i mbyllim këto dhe themi këtu nuk ka më proces. Më pas fokusohem atje ku ka dosje më shumë siç janë Tirana, Vlora, Durrësi, Kamza që mund të marrin më shumë kohë. Por synimi është që ta mbyllim më shpejt se viti 2028, i cili është afati i fundit ligjor.
/a.r