“Të financohet nga BE,” Mitsotakis e Tusk propozojnë ngritjen e një mburoje të përbashkët ajrore

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe homologu i tij polak Donald Tusk i kanë dërguar një letër presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me anë të së cilës i kërkojnë ndërtimin e një mburoje të përbashkët për mbrojtjen ajrore të Evropës, me financim të BE-së.

Sipas informacioneve të Bloomberg , të dy liderët kërkojnë që çështja të diskutohet në seancën e radhës të Këshillit Evropian, e cila është planifikuar të zhvillohet më 27-28 qershor.

Kryetarja e Komisionit, e cila është kandidate për një mandat të dytë në zgjedhjet evropiane muajin e ardhshëm, duket se e mbështet propozimin e Mitsotakis dhe Donald Tusk.

Në një postim në platformën “X”, Von der Leyen shkruan:

“Le të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe në të njëjtën kohë të forcojmë mbrojtjen. Ne kemi nevojë për më pak fragmentim dhe më shumë projekte të përbashkëta, si një mburojë e mbrojtjes ajrore të propozuar nga @kmitsotakis dhe @donaldtusk.”

Në letrën e tyre, dy kryeministrat propozojnë që mburoja do të mbrojë Evropën nga avionët, raketat dhe dronët e armiqve, ndërsa theksojnë se miratimi i një projekti të tillë në nivel evropian do të dërgonte një mesazh të qartë në të gjitha drejtimet për vendosmërinë e Kontinentit të Vjetër për të mbrojtur veten.

Greqia dhe Polonia janë, së bashku me Shtetet e Bashkuara, anëtarët e NATO-s që shpenzuan më shumë si përqindje e PBB-së së tyre për mbrojtjen vitin në 2023.

/a.r

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com