Kryetari i partisë Aleanca për Shqiptarët ne Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari ka vendosur t’i bashkohet opozitës shqiptare në zgjedhjet e ardhshme që do mbahen në pranverë.
Ai e bëri njoftimin në rrjetet sociale, duke nxitur debate tek një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, por dhe mbështetje nga ana tjetër, tek përkrahësit e tij.
Taravari u bën thirrje organeve më të larta partiake që ta mbështesë atë në “këtë rrugëtim drejt procesit për ndryshimin e madh dhe të shumëpritur”. Duke shpjeguar motivin për t’iu bashkuar koalicionit opozitar, ai shkruan se ka zgjedhur “të dëgjojë zërin e popullit që sot flet më qartë se kurrë”.
“Qytetari po kërkon Ndryshim! Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, sipas Taravarit.
Ai doli me këtë vendim të papritur pak ditë pas një takimi të përbashkët në Prishtinë të thirrur nga kryeministri Albin Kurti me drejtuesit e partive të opozitës shqiptare (Lëvizja Evropiane për Ndryshim – LEN) nga Maqedonia e Veriut.
/a.d