Vitin e shkuar, nga taksa e pronës 61 bashkitë grumbulluan më shumë para se në 2022-shin, por më pak nga sa kishin planifikuar. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se nga 6 miliardë e 187 milionë lekë të planifikuara, njësitë e pushtetit vendor arkëtuan 49 milionë lekë më pak.
“Kjo taksë rezulton të jetë realizuar në masën 97 për qind. Tani a janë shfrytëzuar, në momentin e planifikimit a ka qenë ky real apo është vendosur një masë 10 për qind më shumë se vitit paraardhës, atëherë kjo lë për të diskutuar”, tha Adelian Farrici, Drejtoreshë e Shoqatës për Autonomi Vendore.
Në raport me vitet paraardhëse, veçanërisht me 2018-n apo 2019-n, vlera e parave të arkëtuara në arkat e bashkive nga taksa e pronës rezulton në rritje. Megjithatë bashkitë po arrijnë aktualisht të fusin në arkat e tyre vetëm gjysmën e parave që do të duhej të mblidhnin.
“Ka ende hapësirë në drejtim të mbledhjes së të ardhurave nga taksa mbi pasurinë. Kjo hapësirë mund të vijnë duke u ngushtuar me përfundimin reformës së administratës “online” ku të gjitha bashkitë do të kenë një panoramë më të qartë mbi objektet në territoret e tyre”, tha Farrici.
Të dhënat nga “financat” tregojnë se Tirana sjell gati gjysmën e totalit të parave nga taksa e pronës. Lista pasohet nga Elbasani, Vlora, Fieri dhe Durrësi.
“Kjo shkon në raport me numrin e popullsisë dhe banesave. Tirana ka përqendrimin më të lartë, ndaj ndodh kështu”, shtoi ajo.
Nga viti 2026, për taksën e pronës e cila paguhet te fatura e ujit do të paguhet më shumë. Kjo për shkak të ndryshimeve ligjore. Taksa e pronës nuk do të llogaritet më mbi “çmimet referencë”, por në bazë të vlerës që ajo banese apo tokë ka.
/f.s