Në qytetin Yibin të Kinës Jugperëndimore u hap të shtunën edicioni i katërt i Mbledhjes së Zyrtarëve të Ndërlidhjes të Sekretariatit të Bashkëpunimit Logjistik Kinë – Evropë Qendrore dhe Lindore.
Mbledhja synon nxitjen e bashkëpunimit midis Kinës dhe vendeve përkatëse europiane në lidhje me transportin ajror, hekurudhor, ujor si dhe lehtësimin e procedurave doganore dhe industrinë e baterive fotovoltatike dhe makinave elektrike.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë mbi 200 përfaqësues nga sfera diplomatike, qeveritare, akademike, sipërmarrjet dhe organizatat në fushat përkatëse.
Marrëveshje të shumta bashkëpunimi u lidhën midis partnerëve kinezë dhe polakë, austriakë, hungarezë, sllovakë etj., të cilat priten të forcojnë më tej lidhjet logjistike midis Kinës dhe EQL.
Greqia mundet dhe është e gatshme të bëhet një portë kryesore e mallrave kineze për të hyrë në tregun europian, deklaroi Këshilltari Tregtar i Ambasadës greke në Kinë, Georgios Chatzipetros, gjatë pjesëmarrjes në një mbledhje për bashkëpunimin Kinë-Europë Qendrore dhe Lindore në fushën e logjistikave, që po mbahet në qytetin Yibin të Kinës Jugperëndimore.
Këshilltari Tregtar grek tha se Greqia është anëtarja më e re e Mekanizmit të Bashkëpunimit Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore. Ajo pret që në këtë mbledhje të arrihen rezultate pragmatike dhe frytdhënëse.
Vendi i tij ndodhet në qendër të logjistikës ndërkombëtare dhe është destinacioni i parë i hyrjes së mallrave në tregun europian. Greqia ka një rrjet të gjerë rrugor dhe po zhvillon fuqishëm rrjetin e saj hekurudhor. Ajo mundet dhe është e gatshme të bëhet një portë kryesore për mallrat kineze në Evropë